Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica i vetmi nga Rahoveci i cili fitoi në zgjedhjet parlamentare sot, ka kërkuar falje publikisht lidhur me menaxhimin e pandemisë ku sipas tij pandemia është nënvlerësuar, shkruan Kosova Post.
Përmes një shkrimi në Facebook, Korenica ka shkruar se për postimin e bërë dje nga vetë ai është keqkuptuar sepse ai ka thënë se është gjithnjë përkrah qytetarëve dhe kërkesave të tyre.
Në postimin e djeshëm thuhet se “Mbyllja totale për dy javë për të izoluar dhe parandaluar përhapjen e virusit duke e vënë nën kontroll dhe, në vazhdimësi vaksinimi i gjithë popullsisë janë hapa të domosdoshme për të shpëtuar jetë njerëzish”.
Tutje ai ka theksuar se as qeveria nuk e ka paraparë mbylljen totale, andaj respektoni masat.
Postimi i plotë:
GJYSMA E PAGËS PËR TË PREKURIT NGA COVID-19
Pandemia është nënvlerësuar. Dhe, për këtë, faj më të madh kemi ne politikanët që përkundër faktit se dëgjuam për rritje të rasteve në Evropë, u mblodhëm dhe bëmë fushatë. Përgjegjësia na takon neve për këtë dhe unë në emrin tim i kërkoj falje të gjithë qytetarëve!
Me postimin tim të djeshëm jam keqkuptuar shumë – jam përkrah qytetarëve në kërkesat e tyre, kurse vendim NUK KA për MBYLLJE TOTALE për shkak të pandemisë. Dua të theksoj se as qeveria nuk e ka paraparë mbylljen totale, andaj respektoni masat: mbani maskat, mbani distancën dhe shmangni grumbullimet e panevojshme!
Unë do të ndaj gjysmën e pagës time si deputet për të prekurit nga Covid-19. Edhe postimi im i djeshëm ishte thirrje për kujdes dhe mbyllje të grumbullimeve të panevojshme sepse bashkëndjej me ta kohën e vështirë që po e kalojnë dhe humbjen e jetëve të familjarëve.