Për shkak se mbrojtësit e të akuzuarve Ismet Osmani, Sami Nika, Ilir Bojku, Mentor Maqani dhe Adil Thaqi, avokatët Besnik Berisha, Naser Sopjani, Ilaz Rudaku, Naim Rudari dhe Artan Qerkini, kanë kërkuar që të pajisen me të gjitha shkresat e lëndës nga ana e prokurorisë, para deklarimit rreth fajësisë, ka dështuar seanca e së premtes.
Ismet Osmani, Sami Nika, Ilir Bojku dhe Mentor Maqani pretendohet nga ana e organit të ndjekjes se kanë kryer veprat penale “Fajde” dhe “Detyrim”. Ndërkaq, i akuzuari Adil Thaqi ngarkohet me veprën penale “Mashtrim”.
Pasi mbrojtësit kanë deklaruar se janë pajisur pjesërisht me shkresa të lëndës dhe se konsiderojnë që nuk mund të procedohet tutje me seancën fillestare, kjo seancë është ndërprerë.
Kjo pasi sipas gjykatëses Medie Bytyqi, nuk janë plotësuar kushtet për të vazhduar më tutje shqyrtimin fillestar për shkak se të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre nuk janë pajisur me shkresat e lëndës në tërësi.
Paraprakisht, pas konstatimit të prezencës së palëve në procedurë e marrjes së të dhënave personale të të akuzuarve, gjykatësja Bytyqi ka pyetur prokurorin Armend Hamiti se a i ka përmbushur prokuroria detyrimet e saj në raport me mbrojtjen për pajisje me shkresa të lëndës.
Ndërkaq, prokurori Hamiti ka thënë se prokuroria ka përmbushur detyrimet e saj.
Mirëpo, mbrojtësit e të akuzuarve kanë deklaruar se ata nuk janë pajisur me të gjitha shkresat e lëndës.
Avokati Besnik Berisha, që mbron Ismet Osmanin ka deklaruar se në raport me klientin e tij, obligimi i prokurorisë është plotësuar pjesërisht.
“Është fakt se kolegëve paraprak u është dorëzuar një CD, të cilën e kam ekzaminuar me kujdes dhe e kam përballur me listën e provave që gjenden në aktakuzë dhe kam konstatuar se mungojnë të gjitha deklaratat e bashkë të pandehurve”, ka thënë ai, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Tutje, ka thënë se mungojnë urdhëresat për masat e fshehta të vëzhgimit e hetimit, më saktësisht urdhëresat për përgjimet e transkriptuara dhe dorëzuara si provë.
“Mungojnë dëshmitë e dëshmitarëve pothuajse 2/3 e tyre. Andaj, për këtë arsye konsiderojmë se obligimi i prokurorisë nuk është përmbushur plotësisht, provat që mungojnë kanë rëndësi thelbësore për procedurën më tutje dhe rrjedhimisht sa i përket klientit tim nuk ka kushte që ky shqyrtim të procedojë”, ka thënë Berisha.
Njëjtë sikurse Berisha, edhe avokati Naser Sopjani që mbron të akuzuarin Ilir Bojku tha se kanë pranuar një CD me disa materiale, të cilat janë selektuar nga ana e prokurorisë sipas vlerësimit të saj që ato janë provat e mjaftueshme për të ofruar mbrojtjen apo për ta bërë mbrojtjen e duhur Ilir Bojku.
“Ne si mbrojtje e kemi të nevojshme që të pajisemi me të gjitha materialet e kësaj lënde sepse sipas vlerësimit tonë ne besoj se do ta bëjmë vlerësimin dhe shqyrtimin e atyre materialeve që na nevojiten për të ofruar mbrojtjen”, ka thënë ai.
Sipas tij, sigurimi i këtyre materialeve, detyrimisht i paraprin edhe deklarimit lidhur me fajësinë dhe zhvillimin më tutje të kësaj procedure.
Edhe avokati i Sami Nikës, Ilaz Rudaku tha se kanë pranuar një CD me prova që konsiderojnë se janë të mangëta.
Avokati Rudaku tha se konsiderojnë se deklarimi i të mbrojturit të tij, Sami Nika, për sa i përket fajësisë, tani është e pamundur dhe propozojnë që pas pajisjes me komplet shkresat e lëndës brenda një afati optimal kohor do të mund të deklarohen.
Edhe avokati Naim Rudari, mbrojtës i Mentor Maqanit ka thënë se kanë pranuar një CD me materiale, të cilat përmbajnë një pjesë të provave, e që fillimisht me rastin e pranimit nuk e dinë se çfarë provash disponon prokuroria, por se shihet se ka mungesë të provave në CD.
“Dhe meqenëse Mentor Maqani në dispozitivin 3 të aktakuzës akuzohet se ka kryer veprën penale si i vetëm por në përmbajtje thuhet se në lidhje me dispozitivët e tjerë të aktakuzës ose të akuzuarit tjerë kinse ai ka kryer veprën penale si rezultat me të akuzuarit e tjerë, atëherë është e nevojshme që të kemi të gjitha provat dhe deklaratat që disponon prokuroria”, ka thënë ai.
Avokati Artan Qerkini, mbrojtës i Adil Thaqit, ka deklaruar se kanë pranuar një CD nga prokurori, mirëpo theksoi se ekziston një dallim i madh në mes të provave, të cilat gjenden në CD dhe provave që janë propozuar të administrohen.
Sipas tij, neni 241, paragraf 1.6 i KPRK-së, përcakton qartë se është obligim i prokurorisë që në aktin akuzues të paraqes rekomandimin për provat që duhet prezantuar në shqyrtim gjyqësor së bashku me emrat e dëshmitarëve , shkresat që duhet lexuar dhe sendet që duhet të merren si prova.
“Ne në aktakuzë kemi vetëm emrat e dëshmitarëve, ne nuk e dimë zyrtarisht tani vetëm këto janë prova dëshmitarët, por nëse ne e lexojmë pjesën e arsyetimit të aktakuzë, aty prokurori u referohet edhe provave të tjera, por nuk i ka propozu që të administrohen. Ne duhet ta kemi të qartë se a po deklarohen vetëm për këto prova që janë pjesë e akuzës që janë propozu të administrohen në shqyrtim gjyqësor apo për provat që janë në CD”, ka thënë ai.
Ai shtoi se në lidhje me aktvendimet e lëshuara nga gjykata, për masat e fshehta, duhet ta dinë se nga kush do t’i pranojnë ato aktvendime sepse ato nuk janë provë, por janë veprime procedurale të gjykatës.
“A do t’i pranojmë ato nga gjykata apo prokuroria, sepse prokuroria ka për obligim të na pajisë me prova. Konsideroj se pa u sqaruar këto çështje, klienti im është në pamundësi objektive që të deklarohet lidhur me fajësinë”, ka thënë Qerkini.
Kurse, prokurori Armend Hamiti tha se është fakt se në CD që u është dhënë mbrojtësve bart materialin që për secilin të akuzuar t’i ketë provat, në të cilën bazohet akuza dhe të përgatitet mbrojtja e tyre në raport me të pandehurit secilin veç e veç.
Ai tha se duke pasur parasysh se nga hetimet që janë zhvilluar ka të dhëna që konsideron se janë shumë personale që kur kanë të bëjnë me një të pandehur dhe jo me të gjithë, nuk janë pajisur të tjerët për shkak të ruajtjes së privatësisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut.
“CD me prova u është dorëzuar mbrojtëse para seancës së kaluar. Si prokurori jemi të hapur, do t’i shqyrtojmë edhe njëherë provat dhe në rast se mungon ndonjëra me të njëjtën do të pajisen gjithë të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre”, ka thënë ai.
Avokati Besnik Berisha deklaroi se kërkojnë që provat e njëjta që janë dorëzuar në gjykatë t’i kenë saktësisht edhe mbrojtja.
“Kërkojmë m’i pas të njëjtat mos me konsideru këta vetëm cilat janë relevante”, ka thënë ai.
Më pas, gjykatësja Medie Bytyqi ka obliguar prokurorin që të akuzuarit dhe mbrojtës e tyre t’i pajisë me të gjitha shkresat e lëndës në këtë çështje penale brenda 8 ditësh.
Seanca e ardhshme pritet të mbahet më 1 prill 2022.
Sipas aktakuzës së 19 nëntorit 2021, të pandehurit Sami Nika, Ismet Osmani dhe Ilir Bojku, në periudhën e fundvitit 2013 deri në shtator 2015, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit Faton Dalladaku për shkak të borxhit të marrë në qershor 2012, në shumë 350 mijë euro (nga të cilat 100 mijë euro transfer dhe 250 mijë euro në dorë), me çka i pandehuri Nika dhe i dëmtuari lidhin një kontratë mbi shitblerjen e paluajtshmërisë-shtëpisë, lokacioni qytezja Pejton-Prishtinë.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Nika e evidenton në kadastër si pronë të tij, duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të Dalladakut, me rastin e dhënies së parave e ngarkon duke kontraktuar një shumë dukshëm jopropocionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, ashtu që me kamatë 7% e cila gjatë dy muajve në vijim i pandehuri Nika nga i dëmtuari Dalladaku merr kamatën në shumë prej 50 mijë euro.
Tutje, thuhet se të pandehurit Nika, Osmani dhe Bojku shtojnë presionin ndaj të dëmtuarit Dalladaku dhe me këtë rast këta në bashkëpunim duke kontraktuar një shumë dukshëm jopropocionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, ia japin Sahit Paraqarizit shumën prej 250 mijë euro, sepse toka prej 3 hekatarësh në magjistralen Prishtinë-Ferizaj 8 km, nga Prishtina, e cila kishte vlerën prej 600 mijë euro ishte e Paqarizit, ashtu që ai e bëri bartjen e pronësisë të kësaj toke.
Ndërsa, thuhet se për të njëjtën shumë pra 600 mijë euro (250 mijë euro plus 350 mijë euro) e ngarkojnë të dëmtuarin Dalladaku si borxh i ri, por gjithnjë në bashkëpunim edhe më tej të pandehurit e mbajnë në posedim shtëpinë e Dalladakut sipas kontratës me të akuzuarin Nika.
Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Fajde”.