Prokurorët specialë të Hagës, pas ngritjes të aktakuzës ndaj kupolës drejtuese të shtabit të UCK-s, kanë nisur mbledhjen e dëshmive për të faktuar pretendimin se ata vepruan si një grup i strukturuar kriminal.
Media, ka mundur të mësojë detajet e intervistimit dy ditor në Hagë të ish ushtarakut Adem Shehu, i pari shtetas i Shqipërisë që përballet me prokurorët specialë.
Burime nga Haga në dijeni të këtij intervistimi, që ka zgjatur në total 12 orë tregojnë se Adem Shehu fillimisht është pyetur:
Si ai mundi të merrte në dorë drejtimin e Brigadës 153 të zonës së Llapit?
Adem Shehu i cili gjatë luftës njihej me preseudonimin “Komandant Buna 20” është pyetur në cilësinë e dëshmitarit për dy episode gjatë luftës, që lidhen me rrëmbim personi, ushtrim dhune, fyerje, keq- trajtime fizike deri në eliminime fizike.
Këto burime i thanë Top Channel se prokurorët e Hagës, në mënyrë specifike kërkonin të dinin nga Adem Shehu:
Çfarë informacione ai kishte në lidhje me, “Repartin BIA” që komandohej nga Sali Mustafa i njohur me pseudonimin komandant Cali?
Sali Musta ishte drejtuesi i parë i UCK-s i cili u ndalua dhe u çua në Hagë fund-vitin e shkuar.
Prokurorët gjithashtu i kanë drejtuar pyetje komandant Adem Shehut,
Si drejtohej komanda e zonës operative të Karadakut nën komandën e Ahmet Isufit?
Interesi i prokurorëve, lidhej më së shumti tek urdhrat e dhënë nga Sali Mustafa dhe Ahmet Isufi për ata ushtarë të UCK-s që thyenin disiplinën, si ata ndëshkoheshin dhe çfarë ndodhte më pas.
Intervistimi i regjistruar audio-video i Adem Shehut në Hagë ka vijuar me pyetje që lidheshin me vend komandat që operonin në rajonin e Gollakut.