Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka falënderuar të gjithë qytetarët të cilët po dhurojnë donacione për Forcën e Sigurisë së Kosovës, në kuadër të Fondit të Sigurisë, shkruan Kosova Post.
Tutja ka shkruar Mehaj në Facebook, se këtë falënderim e bënë në emër të ministrisë dhe të gjithë ushtarëve të FSK-së.
Për më tepër ministri Mehaj, shkruan se ‘Jemi të vetëdijshëm se ky projekt i yni i përbashkët me ju, ka tendenca të pengohet për çka jemi të detyruar të ju rikujtojmë: Paratë tuaja deponohen përmes llogarisë zyrtare të Fondit të Sigurisë, në Bankën Qendrore të Kosovës;Ky proces është nën mbikëqyrjen e Qeverisë përmes Ministrisë së Financave, respektivisht Thesarit të Shtetit”
Mehaj ka ftuar të gjithë për të kontribuar në Fondin e Sigurisë.
“Prandaj, ju ftoj që të vazhdojmë së bashku me kontributet tona në Fondin e Sigurisë, për Ushtrinë tonë dhe të gjitha institucionet tona të sigurisë së vendit”, ka shkruar Mehaj.
Postimi i plotë:
Qytetarë të dashur,
Bashkëkombës nga mërgata kudo që jeni,
Miq ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës,
Në emër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe gjithë ushtarakëve të FSK-së, ju shpreh mirënjohjen më të lartë për përgjigjen e jashtëzakonshme e të pritur, e cila po vazhdon pandëprerë, me donacionet tuaja për Fondin e Sigurisë.
Jemi të vetëdijshëm se ky projekt i yni i përbashkët me ju, ka tendenca të pengohet për çka jemi të detyruar të ju rikujtojmë:
Paratë tuaja deponohen përmes llogarisë zyrtare të Fondit të Sigurisë, në Bankën Qendrore të Kosovës;
Ky proces është nën mbikëqyrjen e Qeverisë përmes Ministrisë së Financave, respektivisht Thesarit të Shtetit;
Donacionet dhe shuma e mjeteve janë plotësisht mbi bazën e vullnetit tuaj të lirë;
Paratë depononi personalisht direkt në Fondin e Sigurisë;
Asnjë individ, grup, shoqatë apo iniciativë nuk është e autorizuar të mbledhë para në emër të Fondit të Sigurisë.
Ju e dëshmuat dhe po e dëshmoni si gjithmonë se jeni mbështetja kryesore e jona.
Ju ishit gjithmonë dhe jeni edhe tani logjistika kryesore jo vetëm e Ushtrisë, por edhe e sigurisë, mbrojtjes, zhvillimit dhe forcimit të shtetit tonë.
Prandaj, ju ftoj që të vazhdojmë së bashku me kontributet tona në Fondin e Sigurisë, për Ushtrinë tonë dhe të gjitha institucionet tona të sigurisë së vendit.
Donacionet tuaj janë motivi dhe forca jonë e përbashkët.
Ju faleminderit!.