Më shumë se 50 për qind e tërheqjes ka përfunduar dhe gjashtë baza ushtarake u janë dorëzuar forcave afgane, por komanda amerikane akoma nuk ka njoftuar zyrtarisht numrin e trupave të tërhequr.
Përpara afatit për tërheqjen e forcave amerikane nga Afganistani, stacioni më i madh ushtarak në Afganistan, fusha ajrore ‘Bagram’, u është transferuar forcave afgane, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Pas pothuajse dy dekada, ushtria amerikane ka lëshuar fushën ajrore ‘Bagram’ në Afganistanin qendror dhe e ka dorëzuar atë në Mbrojtjen Kombëtare dhe Forcat e Sigurisë Kombëtare, konfirmuan burime nga Ministria e Mbrojtjes”, raportoi Tolo News me bazë në Afganistan.
Forcat amerikane kanë qenë në Afganistan që nga pushtimi i tyre pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 në SHBA.
Sipas raportit, në fushën ajrore ‘Bagram’, e cila ndodhet në provincën qendrore Parwan rreth 69 kilometra në veri të kryeqytetit Kabul, mbi 100 mijë trupa amerikane kalonin nëpër kompleksin e saj.
Më tej, në raport thuhet se dorëzimi tregon se “të fundit nga afërsisht 2.500 deri në 3.500 trupa amerikane” janë larguar nga vendi i shkatërruar nga lufta.
Në muajin shkurt të vitit 2020, SHBA arriti një marrëveshje me talebanët për t’u tërhequr nga Afganistani deri në muajin maj të vitit 2021, por ky vendim më vonë u shty për më 11 shtator të këtij viti.
Sipas njoftimit të fundit nga Komanda Qendrore e SHBA-së, më shumë se 50 për qind e tërheqjes ka përfunduar dhe gjashtë baza ushtarake u janë dorëzuar forcave afgane, por komanda amerikane akoma nuk ka njoftuar zyrtarisht numrin e trupave të tërhequr.
Pritet që SHBA do të mbajë një njësi ushtarake, të përbërë prej qindra personash, për të mbrojtur ambasadën amerikane në Kabul.
Administrata e presidentit të SHBA-së, Joe Biden, e cila thuhet se ka arritur një marrëveshje në parim me Turqinë për të mbrojtur aeroportin ndërkombëtar të Kabulit, po ashtu po konsideron të mbajë një personel ushtarak si forca mbështetëse.