Krerët e shtetit, por edhe liderët politikë në Kosovë, kanë reaguar pas rastit të tragjedisë në Bullgari, transmeton Kosova Post.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi, me këtë rast, iu ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave:
“I tronditur e i prekur thellësisht nga tragjedia në Bullgari, që mori jetën e 46 qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, bashkëkombësve tanë shqiptarë dhe familjeve të të gjithë viktimave ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta, për shuarjen e më të dashurve të tyre.
Përballë kësaj ngjarjeje kaq tragjike, lutemi për shërim të shpejtë të të mbijetuarve dhe për durim e forcë për familjarët e viktimave. Në këtë ditë të rëndë, mendjet dhe zemrat tona janë me të gjithë të prekurit e kësaj tragjedie.”
Për rastin ka reaguar edhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj:
“Dhimbje e madhe për dhjetëra jetë të humbura, shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, në aksidentin tragjik në Bullgari.
Në këto momente të vështira, jemi pranë familjeve të viktimave e lutemi që të shërohen të lënduarit.
Zoti u dhashtë forcë familjeve dhe mbarë kombit!
RH.”
Mbi 40 persona mbetën të vdekur, pasi një autobus i mbushur me turistë që po ktheheshin nga Turqia, u përfshi nga flakët./KosovaPost/