Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), duke ua vazhduar masën e paraburgimit edhe nga dy muaj (secilit veç e veç) tre të dyshuarve Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, për sulmim terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë.
Lajmi u bë i ditur për “Betimi për Drejtësi” nga zëdhënësja e kësaj gjykate, Milinda Gashi.
“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve V.T, B.S dhe D.M, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që të pandehurve V.T, B.S dhe D.M iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, për secilin”, konfirmoi Gashi.
Ndryshe, me aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, të 19 dhjetorit 2023, iu kishte vazhduar edhe për dy muaj masa e paraburgimit tre të dyshuarve.
Kurse, Gjykata e Apelit kishte refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të tre të dyshuarve, avokatëve Milosh Deleviq, Ljubomir Pantoviq dhe Jovana Filipoviq, ndërsa kishte vërtetuar vendimin e 19 dhjetorit.
Toliq, Spasojeviq dhe Maksimoviq gjenden nën masën e paraburgimit nga data 26 shtator 2023.
Ata dyshohen për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Në Bajsnkë të Zveçanit, në orët e hershme të 24 shtatorit 2023, ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku si dhe ishin plagosur dy të tjerë. Pastaj, të vrarë kishin mbetur edhe tre sulmues, kurse të tjerët ishin larguar pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Bajnskës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kishte publikuar pamje të Milan Radoiçiq, ku kishte theksuar se Radoiçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. E vet Radoiçiq e kishte marrë përipër përgjegjësinë për sulmin terrorist.