Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) ka realizuar një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, transmeton Kosova Post.
Siç njofton Drejtoria e Komunikimeve, gjatë bisedës u diskutua për situatën e fundit në luftën Rusi-Ukrainë, që po vazhdon që nga 24 shkurti dhe proceset negociuese mes palëve.
Duke theksuar nevojën për vendosjen sa më të shpejtë të armëpushimit dhe paqes ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës dhe përmirësimin e situatës humanitare në rajon, presidenti Erdoan deklaroi se Turqia do të vazhdojë të kontribuojë në çdo mënyrë gjatë këtij procesi.
Presidentët Erdoan dhe Putin ranë dakord që takimi i ardhshëm mes delegacioneve negociuese të Rusisë dhe Ukrainës të mbahet në Stamboll.
Ndërkaq, shefi i diplomacisë turke, Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) solli në kujtesë se delegacionet negociuese të Rusisë dhe Ukrainës do të takohen në Turqi dhe vlerësoi: “Ne jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë e besimit që kanë palët tek Turqia”.
“Si rezultat i iniciativave të presidentit tonë Rexhep Tajip Erdoan, delegacionet negociuese të Rusisë dhe Ukrainës do të takohen në Turqi. Ne jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë e besimit që palët kanë tek Turqia. Shpresojmë që takimet të rezultojnë në një armëpushim të përhershëm dhe të çojnë në paqe”,- ka shkruar Çavusollu në llogarinë e tij në rrjetin social Twitter.
Më pas Çavushollu zhvilloi një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov.
Siç bën të ditur Ministria e Punëve të Jashtme, gjatë bisedës mes Çavushollu dhe Lavrov janë diskutuar zhvillimet aktuale në Ukrainë.
Trupat ruse filluan një sulm ndaj Ukrainës më 24 shkurt, dhe më vonë të dyja palët u ulën shumë herë në tryezën e bisedimeve.trt.