Natën e mbrëmshme janë vendosur edhe dy barrikada në veri të vendit, me ç’rast Policia e Republikës së Kosovës, ka dalur me një njoftim. Ndër të tjera, Policia ka informuar se ku janë vendosur këto barrikada. Lidhur me situatën në veri ka reaguar profesori universitar nga Tirana, Hysamedin Feraj, raporton KosovaPost.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Feraj ndër të tjera, tha se një pjesë e madhe e popullësisë shqiptare dhe serbe gjendet në gjendje burgu.
Tutje, shton se veprimtaria e barrikadave nga serbët po i afrohet karakteristikave të terrorizmit.
Postimi i plotë:
Veprimtaria e barrikaduesve serbë po i afrohet karakteristikave të terrorizmit: marrja peng e popullsisë civile si mjet për realizimin e qëllimeve politike.
Një pjesë e madhe e popullsisë, serbe, shqiptare dhe të tjerë, ndodhet në gjendje burgu: nuk u lejhohet lëvizja e lirë e tyre, as e mallrave, as e shërbimeve, madje as e shërbimeve shendetësorë.
E gjitha, sepse bosët e krimit nuk duan që ndaj tyre të zbatohen ligjet e vendit si për gjithë qytetarët e tjerë.
Zhvillimet e mëvonshme nuk duhet ta lënë në harresë se gjithçka nisi mbas agazhimit të qeverisë për realizimin e barazisë së qytetarëve para ligjit, e sundimit të ligjit barabar edhe për ta si për gjithë të tjerët./KosovaPost/