Kryediplomati turk Hakan Fidan tha se nëse grupi terrorist PKK/YPG nuk përmbush ultimatumin për t’u larguar nga Siria, përgjigja e nevojshme do të jetë një operacion ushtarak, transmeton Anadolu.
“Ultimatumi që u dhamë atyre (PKK/YPG-së terroriste) është i qartë. Ne e kemi dorëzuar atë ultimatum përmes amerikanëve dhe mediave. Ata që janë të klasifikuar si luftëtarë terroristë ndërkombëtarë, që vijnë nga Türkiye, Irani dhe Iraku, duhet të largohen menjëherë”, tha Fidan për televizionin CNN Turk.
Në fushatën e saj terroriste 40-vjeçare kundër Türkiyes, PKK, e listuar si një organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA-ja dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë, foshnja dhe të moshuar. YPG, e cila përdor gjithashtu emrin PYD, është dega e saj siriane. YPG ka kërkuar prej kohësh të ndërtojë një “korridor terrorist” në veri të Sirisë, pranë kufirit turk, duke shtypur gjithashtu popullsinë lokale. Türkiye ka dislokuar trupa dhe ka punuar me aleatët lokalë për të mposhtur atë komplot.
Fidan theksoi gjithashtu se administrata e re në Siri nuk duhet nënvlerësuar, duke thënë se ajo nuk ka frikë nga lufta dhe e ka marrë pushtetin me forcë.
Bashar Asadi, lideri i Sirisë për gati 25 vjet, u arratis në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut më 8 dhjetor, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath.
Kjo erdhi pasi luftëtarët e grupit Hayat Tahrir al-Sham pushtuan qytetet kryesore në një ofensivë të shpejtë që zgjati më pak se dy javë. Një administratë e re e udhëhequr nga Ahmed al-Sharaa ka marrë tani përgjegjësinë.
-“Türkiye refuzon idenë e dominimit”
Para vizitës së tij historike në kryeqytetin sirian Damask muajin e kaluar, Fidan tha se ai bëri një “maratonë diplomatike” për të përcaktuar pritshmëritë e komunitetit ndërkombëtar për administratën e re të Sirisë.
Mes tjerash, ai tha se është rënë dakord për të siguruar që Siria të mos përbënte më një kërcënim për fqinjët e saj, duke mohuar çdo hapësirë për terrorizmin, si dhe për të mbrojtur sigurinë dhe të drejtat e pakicave dhe për të ruajtur integritetin dhe unitetin territorial të vendit.
Lidhur me prioritetet për Sirinë, ai tha: “Një qeveri që mund t’i shërbejë popullit dhe të fitojë njohje ndërkombëtare duhet të formohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Pas kësaj, duhet të fillojë rindërtimi i vendit”.
Fidan theksoi rëndësinë e mbështetjes nga Ushtria Kombëtare Siriane, një aleat lokal dhe ish grup opozitar, si dhe mbështetjes nga forcat jugore për administratën e re dhe garantimin e sigurisë ushtarake, duke e quajtur atë një “hap të parë kritik”.
“Kjo, natyrisht, duhet të bashkohet rreth ushtrisë (të re siriane)”, tha ai.
“Një nga rreziqet është potenciali që anëtarët e ish-regjimit të organizohen, qoftë kolektivisht ose në qeli, dhe të përfshihen në konflikt me regjimin ose administratën e re”, theksoi Fidan.
Ai hodhi poshtë provokimet që qarkullojnë në mediat sociale në lidhje me veprimet kundër alavitëve dhe shiitëve sirianë, duke thënë: “Nuk ka një gjë të tillë që ndodh tani dhe, në dashtë Zoti, nuk do të ndodhë. Ne nuk duam të ndodhë një gjë e tillë dhe nuk do ta lejojmë të ndodhë. Ne jemi shumë të ndjeshëm për këtë çështje”.
Fidan vlerësoi gjithashtu deklaratën e liderit të përkohshëm sirian al-Sharaa, i cili tha: “Ne nuk erdhëm (në pushtet) për t’ua bërë të tjerë atë që na u bë neve”. Fidan e vlerësoi këtë si një shenjë pjekurie dhe tha se shpreson që ata do të vazhdojnë në këtë rrugë.
Duke hedhur poshtë pretendimet se Türkiye kërkon të “dominojë” mbi Sirinë, Fidan tha: “Ne nuk e pranojmë këtë. Qëllimi ynë është të përdorim ndikimin që vjen nga lidhjet e përbashkëta të vëllazërisë, gjeografisë dhe marrëdhënieve kufitare në mënyrën më konstruktive të mundshme”.
Lidhur me lidhjet dypalëshe me Sirinë, ai theksoi se Türkiye udhëheq marrëdhënie të barabarta dhe e sheh rolin e saj si rol mbështetës.
“Ne refuzojmë çdo politikë në rajon të rrënjosur në një perspektivë dominimi, qoftë nga Türkiye, Irani apo shtetet arabe”, tha Fidan.
Duke përmendur takimet e tij të 22 dhjetorit në Damask me al-Sharaa-n, Fidan e përshkroi udhëheqësin e ri si të aftë politikisht dhe me cilësi udhëheqëse.
Ai theksoi përparimin e al-Sharaa-s jo vetëm në zgjidhjen e konfliktit, por edhe në ofrimin e shërbimeve publike dhe përmirësimin e infrastrukturës, si në Idlib, Sirinë veriperëndimore, si dhe aftësinë e tij për të unifikuar perspektiva të ndryshme politike.