FIFA ka nisur hetim mbi hyrjen e kuzhinierit të famshëm turk Nusret Gökçe në fushë pas përfundimit të finales së Kupës së Botës 2022, transmeton Anadolu Agency (AA).
Një zëdhënës i FIFA-s ka thënë për Sky Sports se federata ndërkombëtare e futbollit po kryen hetim mbi atë se “si individë të caktuar fituan qasje të paligjshme në fushë pas ceremonisë së mbylljes në stadiumin Lusail më 18 dhjetor”.
Nusret, i njohur gjithashtu si “Salt Bae” me lëvizjen e tij të famshme të hedhjes së kripës përmes krahut në biftek, hyri në fushë pas ndeshjes finale të Kupës së Botës midis Argjentinës dhe Francës dhe u përpoq të bënte selfie me lojtarët argjentinas.
Ai madje arriti të prekë trofeun e Botërorit në ceremoni, ndërsa vetëm fituesit e Kupës së Botës dhe krerët e shteteve lejohen ta prekin atë sipas rregullave të FIFA-s.
Hyrja e tij në ceremoni ngjalli polemika në rrjetet sociale.
Pamjet që tregojnë kapitenin argjentinas Lionel Messi në siklet pas këmbënguljes së kuzhinierit për të bërë selfie me të, u bënë virale në mediat sociale.
Të mërkurën, US Open Cup, kompeticioni më i vjetër kombëtar i futbollit në SHBA, tha në twitter se ndalojnë Nusretin nga finalja e vitit 2023.