Republikës sonë i është imponuar çështja e dialogut me Serbinë, pas shpalljes së pavarësisë, pa çka që rezultatet kanë qenë më shumë në dëm, se sa në dobi të saj, konstatojnë njohësit e çështjes. Kryeministri i sapo-zgjedhur Albin Kurti, i shquar për qëndrimin kritik që e ka pasur ndaj mënyrës së si është zhvilluar ky proces, ndonëse nuk e ka kategorizuar si një ndër çështjet që do t’i ketë prioritet në mandatin e tij, duket se së shpejti do të detyrohet të përfshihet në të, shkruan Kosova Post.
Jo më larg se sa sot, ndërsa mori pjesë në ditën përkujtuese të ‘Masakrës së Krushës’, ai i përsëriti qëndrimet e tij të njohura në lidhje me çështjen e dialogut. Zotimi i tij se “në dialog nuk do ta dëgjojmë Serbinë duke i shtruar kërkesat e vjetra, por do t’i shtrojmë kërkesat tona për drejtësi” është parë me shqetësim edhe nga Beogradi zyrtar. Kurtin, politikanët serbë, e kanë cilësuar përherë si radikalë e të papërshtatshëm për bisedime.
Në anën tjetër, skena politike e Kosovës e cila ende nuk e ka rikthyer qetësinë e duhur pas zhurmës elektorale të 14 shkurtit, në javët në vijim pritet të “testohet” edhe një herë me çështjen e zgjedhjes së presidentit. ShBA-të, BE, nëpërmjet kori diplomatik në vend, e ka bërë tashmë të qartë se, pas këtij hapi, Kosova duhet t’i rikthehet procesit, me shpresë se kjo çështje do të mbyllet një herë e mirë.
Ditë më parë, Kryeministri Kurti, pas një bisede me senatoren Joni Ernst, paralajmëroi se do t’i intensifikojë raportet me ShBA-të, duke e nënkuptuar këtu edhe një vizitë të shpejt atje. Ndonëse nuk është folur rreth agjendës, çështja e dialogut, s’mund të shmanget si temë përgjatë vizitës së mundshme.
Gazetari dhe analisti Xhevdet Pozhari, për Kosova Post, paralajmërimin e Kurtit për një vizitë në ShBA, e sheh si një lajm të mirë. Sipas tij, një vizitë e tillë “duhet shikuar nga një këndvështrim më i gjerë dhe jo vetëm të përkufizohet me temën e dialogut”. Pozhari, duke iu referuar qëndrimeve të njohura të Kurtit, tha se “ai e ka dëshmuar se nuk e do pushtetin më shumë se shtetin, sepse përndryshe qëmoti do të ishte pjesë e qeverive. Sot ai përfaqëson besimin e shumicës absolute të qytetarëve dhe siç ka deklaruar edhe vetë, kompromiset nga ana e Kosovës në temën e dialogut kanë përfunduar me pakon e Ahtisarit.”
Qasjen e re të Kurtit në raport me procesin e dialogut, Mirlind Behluli, e vlerëson më ndryshe se sa ekipet paraprake negociatore të palës kosovare. Për Behlulin, i cili është studiues i çështjeve diplomatike “nxitimi as nuk është i nevojshëm e as i duhur”, në kuadër të këtij procesi. Megjithatë, ai sugjeron disa hapa të cilët janë të domosdoshëm për t’i ndërmarr që në fillim:
“Para rifillimit të dialogut, duhet bërë dy gjëra: së pari, i dërguari i posaçëm i BE-së, nëpërmjet një ‘diplomacie fluturuese” apo asaj të zoom-it, duhet të informohet nga palët për parimet, platformën dhe ekipet e dialogut, posaçërisht asaj të Kosovës meqë kemi një kryeminstër të ri. Së dyti, Qeveria e Kosovës duhet të përgatitet mirë duke vendosur parime të qarta negociuese. Mendoj që diskursi i Kurtit dërgon sinjale të kujdesit e mos nxitimit në dialog. Tashmë si kryeministër, Kurti ka vënë parimet, premisat e temat për e mbi të cilat ai është i gatshëm të dialogoj. Barazia, paprekshmëria e integritetit e unitetit territorial dhe nevoja e kontekstualizimit historik të këtij procesi janë disa nga parimet kryesore të Kurtit. Ndonëse janë kërkesa elementare, në kontekstin e historisë së dialogimit 10 vjeçar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kjo qasje është radikale.”
A do të jetë epilogu një histori e ngjashme me mitin e Sizifit?
Droja se procesi do të vijojë pafundësisht, pa ndonjë epilog, shprehet hapur nga qytetarët. Kjo sipas tyre, do ta mbante vendin të mbërthyer në krizë, duke mos i dhënë shans për t’u integruar. Por Behluli shpreson se do të ndryshojnë gjërat:
“Shpresoj që me ardhjen e Kurtit në Qeveri t’i vie fundi ‘dialogut sizif’. Pra të marrë fund dialogu i përhershëm, pa ndonjë kufizim kohor e pa ndonjë arritje përfundimtare. Kujtoni që Sizifi bënte të njëjtin veprim pafundësisht, i cili akt në mitologjinë greke përshkruhet si dënim. Në këtë kontekst të ciklit sizifian, ideja e dialogut si ‘dënim i pashmangshëm’ duhet të përfundoj duke e dekonstruktuar idenë, gati të shndërruar në mit, se fuqizimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës kalon vetëm nga ura e dialogut. Sepse, siç thuhet në teorinë e diplomacisë, politika e jashtme është pasqyrim i asaj të brendshmes. Andaj Kurti, para së gjithash, duhet të fukosohet në shtetndërtimin e brendshëm për çka edhe i ka fituar aq shumë vota.”
Nga ana tjetër, për Pozharin, pritshmëritë e ulëta të qytetarëve rreth çështjes, janë më se normale. Kjo ka të bëjë me historinë e koncesioneve të dhimbshme, në dëm të vendit, në të kaluarën:
“Është i natyrshëm skepticizmi i çdo qytetari kur është në pyetje dialogu referuar koncensioneve të bëra nga pushtetarët e mëparshëm, mirëpo kësaj radhe kemi të drejtën së paku të shpresojmë se interesat e Kosovës do të përfaqësohen me dinjitet. Andaj, edhe duhet t’ia japim qeverisë së re mundësinë dhe kohën që iu duhet për ta dëshmuar vetveten ngaqë më e rëndësishme se shpejtësia e një marrëveshjeje eventuale është përmbajtja e saj.”
Ndonëse epilogu i procesit, është vështirë i parashikueshëm, një gjë është e qartë, thonë njohësit e këtyre problemeve: Kosova do të çlirohej nga një makth disa vjeçar dhe se rruga euroatlantike, nuk do të kishte më pengesa./I.Topanica/KosovaPost/