Duke zbritur deri në 40 metra nën Detin Baltik, tuneli më i gjatë i “zhytur në ujë” në botë do të lidhë Danimarkën dhe Gjermaninë, duke ulur kohën e udhëtimit midis dy vendeve kur të hapet në vitin 2029.
Pas më shumë se një dekade planifikimi, ndërtimi filloi në Tunelin Fehmarnbelt në vitin 2020 dhe në muajt që atëherë një port i përkohshëm ka përfunduar në anën daneze. Ky do të strehojë fabrikën që së shpejti do të ndërtojë 89 seksionet masive të betonit që do të përbëjnë tunelin, raporton CNN përcjell Telegrafi.
“Pritja është që linja e parë e prodhimit të jetë gati në fund të vitit, ose në fillim të vitit të ardhshëm”, tha Henrik Vincentsen, CEO i Femern A/S, kompania shtetërore daneze përgjegjëse për projektin. “Deri në fillim të vitit 2024 ne duhet të jemi gati për të ‘zhytur’ elementin e parë të tunelit”.
Tuneli, që do të jetë 18 kilometra i gjatë, është një nga projektet më të mëdha të infrastrukturës në Evropë, me një buxhet ndërtimi prej mbi 7 miliardë euro.
Për krahasim, Tuneli i Kanalit prej 50 kilometrash që lidh Anglinë dhe Francën, i përfunduar në vitin 1993, kushtoi me ekuivalentin e 12 miliardë funteve (13.6 miliardë dollarë) në paratë e sotme. Edhe pse më i gjatë se Tuneli Fehmarnbelt, Tuneli i Kanalit u krijua duke përdorur një makinë jo aq efektive në vend që të zhytte seksionet e tunelit të para-ndërtuara.
Ky tunel do të ndërtohet përgjatë Brezit Fehmarn, një ngushticë midis ishullit gjerman të Fehmarn dhe ishullit danez të Lolland, dhe është projektuar si një alternativë ndaj shërbimit aktual të trageteve nga Rodby dhe Puttgarden, që transporton miliona pasagjerë çdo vit. Aty ku kalimi tani zgjat 45 minuta me traget, do të duhen vetëm shtatë minuta me tren dhe 10 minuta me makinë.
Udhëtim më i shpejtë
Tuneli, emri zyrtar i të cilit është “Fehmarnbelt Fixed Link”, do të jetë gjithashtu tuneli më i gjatë i kombinuar rrugor dhe hekurudhor kudo në botë. Tuneli do të përbëhet nga dy autostrada me dy korsi –të ndara nga një kalim shërbimi – dhe dy shina hekurudhore të elektrizuara.
“Sot, nëse do të bëni një udhëtim me tren nga Kopenhaga në Hamburg, do t’ju duheshin rreth katër orë e gjysmë”, thotë Jens Ole Kaslund, drejtor teknik në Femern A/S, kompania shtetërore daneze përgjegjëse për projekti. “Kur të përfundojë tuneli, i njëjti udhëtim do të zgjasë dy orë e gjysmë”.
“Sot, shumë njerëz udhëtojnë me aeroplan midis dy qyteteve, por në të ardhmen do të jetë më mirë të udhëtoni me tren”, shton ai. I njëjti udhëtim me makinë do të jetë rreth një orë më i shpejtë se sot, duke marrë parasysh kohën e kursyer duke mos u rreshtuar për në traget.
Përveç përfitimeve për trenat dhe makinat e pasagjerëve, tuneli do të ketë një ndikim pozitiv në kamionët e mallrave dhe trenat, thotë Kaslund, sepse krijon një rrugë tokësore midis Suedisë dhe Evropës Qendrore që do të jetë 160 kilometra më e shkurtër se sot.
Për momentin, trafiku midis gadishullit skandinav dhe Gjermanisë nëpërmjet Danimarkës mund të marrë tragetin përmes Fehmarnbelt ose një rrugë më të gjatë përmes urave midis ishujve të Zelandës, Funen dhe gadishullit Jutland.
Si nisi
Derisa disa grupe mjedisore kanë shprehur shqetësime në lidhje me ndikimin e tunelit te gjitarët e ngjashëm me delfinët në Brezin Fehmarn, Michael Lovendal Kruse i Shoqatës Daneze për Ruajtjen e Natyrës mendon se projekti do të ketë përfitime mjedisore.
“Si pjesë e Tunelit Fehmarnbelt, do të krijohen zona të reja natyrore dhe shkëmbinj nënujorë në anën daneze dhe gjermane. Natyra ka nevojë për hapësirë dhe si rezultat do të ketë më shumë hapësirë për natyrën”, thotë ai.
“Por avantazhi më i madh do të jetë përfitimi për klimën. Kalimi më i shpejtë i Brezit do t’i bëjë trenat sfidues të fortë për trafikun ajror dhe ngarkesat në trenat elektrikë janë zgjidhja më e mirë për mjedisin deri më tani”.
Përktheu dhe përshtati: Arigona Bytyçi