400 kilogramë kokainë është sasia dhe lloji i drogës që u kap në Kosovë pas një bashkëpunimi mes Agjencisë Federale të Anti-Drogës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Guardia di Finanzia, Policisë së Kosovës dhe asaj shqiptare.
Lokacioni ku u kap droga ishte një depo e një kompanie në Lipjan.
Lidhur me rastin janë arrestuar shtatë persona.
Sasia marramendëse e kokainës ishte ngarkuar në Amerikën Latine, ndërsa vinte nga Brazili në një kontejner me mish pule.
Abc News, ka siguruar deklarimet e Guardia di Finanza lidhur me atë se si është zhvilluar operacioni.
Policët italianë thanë se janë ndaluar 25 të dyshuar për përfshirjen në trafikun e narkotikëve, ndërsa janë prangosur shtatë persona.
Sipas tyre droga u identifikua nga Fiamme Gialle dhe nga Oficerët e Agjencisë Doganore të Gioia Tauro përmes skanimit me rreze X, të kryer me pajisje të sofistikuara në portin e Gioia Tauro, të një kontejneri në tranzit nga porti i Santos (Brazil) dhe që i drejtohej një kompanie me qendër në Lipjan (Kosovë), raporton Abc News përcjell Klan Kosova.
Për të identifikuar autorët e trafikut masiv të paligjshëm, Prokuroria Publike e Reggio Calabria, DDA, urdhëroi ekzekutimin e një dërgese me ndërkombëtare duke mos e kapur drogën.
Kështu në bashkëpunim me Prokurorinë e Kosovës dhe atë të Shqipërisë, sasia e madhe e kokainë u la që të dërgohej në destinacion, ku më pas u bë e mundur edhe arrestimi i personave të përfshirë në këtë trafik ndërkombëtar.
Droga, nëse shitet me pakicë në qendrat evropiane të tregtisë së drogës, do të kishte lejuar krimin e organizuar të fitonte mbi njëqind milion euro.