Ka nisur në Hagë konferenca e katërt ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Prokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Claire Lawson ka bërë të ditur se që nga seanca e fundit paragjyqësore, ata kanë nxjerrë edhe dy paketa me materiale, teksa po vazhdon të punojë në materiale tjera.
“Prokuroria ka nxjerrë edhe dy paketa me materiale. Po vijojmë që të punojmë për materialet tjera. Kemi depozituar një kërkesë të katërt për masa mbrojtësa dhe do të bëjmë edhe të tjera në grafikun kohor, para datës 6 prill. Po bëjmë përshtatjet për nënkategorizimet. Deklaratat e mëparshme 1/2 të aktakuzës janë përpunuar dhe janë nxjerrë dhe janë pjesë e kërkesës për masa mbrojtëse”, tha prokurorja.
Prokuroria e Specializuar kritikoi edhe ekipet mbrojtëse të krerëve të UÇK-së që sipas saj nuk kanë kontaktuar direkt me prokurorinë në lidhje me materialet dhe çështje tjera.
“Dëshiroj që të them dy gjëra të përgjithshme. E para është se çështjet e ngritura në ankesën e mbrojtjes, janë ato që mbrojtja nuk ka vendosur t’ia sjellë në dijeni inter-partes prokurorisë. Pjesa më e madhe do të mund të ishin zgjidhur nëse avokatët do ta kishin kontaktuar prokurorinë. Parashkrimi i mbrojtjes së Thaçit përbën një shkelje, dhe në vend të trajtojë çështje të reja, parashkrimi mbështet në mënyrë të pakuptimtë parashtrimet e mëparshme. Do të ishte ideale që të kishim një paketë të plotë të dëshmitarëve. ZPS është në proces të materialeve që janë objekt i kësaj kërkese. Dhe ne këtë po e bëjmë në shpejtësi”, tha ajo.
Ajo po ashtu bëri të ditur se provat materiale që lidhen me intervistat e Thaçit janë nxjerrë, mirëpo gjashtë nga 24 të tilla kanë mbetur pa u përfunduar në këtë proces.
Ndërsa, gjyqtari i Procedurës Paraprake në kuadër të Dhomave të Specializuara, Nicolla Goillou bëri të ditur agjendën e kësaj konference,transmeton zëri. Ndër çështjet që do të diskutohen gjatë kësaj seance janë ecuria e hetimeve të Prokurorisë dhe mbrojtjes, parashtrimi i përgjigjeve ndaj mocioneve paraprake të dorëzuara paraprakisht dhe çështje të tjera që ngriten nga palët.