Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kosharës” në 22 vjetorin e thyerjes së kufirit Kosovë-Shqipëri.
Haradinaj ka thënë se në rrugën drejt lirisë kanë pasur shumë vuajtje dhe sakrifica, por se gjithmonë kanë dëshmuar trimëri, guxim dhe vendosmëri.
“Shqiptarët asnjëherë nuk pranojnë ndarjen e robërinë. Njëzetedy vite më parë, u shemb me luftë kufiri mes Kosovës e Shqipërisë, i vendosur padrejtësisht për dekada me radhë. Në rrugën tonë drejt lirisë, kemi pasur shumë vuajtje e sakrifica, por kemi dëshmuar edhe trimëri, guxim e vendosmëri”.
Haradinaj ka thënë se falë atyre që ia falën jetën atdheut u realizua ëndrra e shumë brezave.
“Ëndrra e shumë brezave u realizua në Luftën Çlirimtare, fal atyre që pa hezitim ia falën jetën Atdheut. Përulemi para gjakut të Heronjve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”. Ata janë kurorë lavdie e guximit dhe bashkimit shqiptar”.