Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se gjendja në lidhje me pronën rreth manastirit të Deçanit është e padrejtë. Sipas tij, Kosova është në pozitë të vështirë pas vendimit kushtetues. “Nëse nuk e zbatojmë vendimin e gjykatës, po i krijojmë pengesa vetes”, tha Haradinaj për RTK-në. Ai deklaroi se vendimi kushtetues e vë në pozitën “pa rrugëdalje dhe pa alternativë” dhe shtoi se kanë ankesa për këtë situatë, por se zgjidhje tjetër nuk ka, transmeton KosovaPost.
“Nëse nuk e zbatojmë vendimin për pronën sipas aktgjykimit kushtetues, atëherë mund të jemi nën presion që të mos zbatohet vendimi i së njëjtës gjykatë për Asociacionin e Komunave Serbe”, tha Haradinaj, përcjell FrontOnline.
Ai e quajti të padrejtë vendimin pasi, siç tha ai, bëhej fjalë për pronën “që i ishte dhënë manastirit në kohën e Millosheviqit”. Haradinaj tha se kur vendos gjykata më e lartë nuk ka rrugë tjetër.
Në vitin 2016, Gjykata Kushtetuese vendosi se 24 hektarë tokë i takojnë manastirit të Visoki Deçanit, por pushteti lokal në Deçan ende nuk e ka zbatuar atë vendim sepse pretendon se prona është e kompanive shoqërore. Haradinaj, ashtu si politikanët e tjerë kosovarë, deri më tani ka refuzuar zbatimin e vendimit.