Një debat është duke u zhvilluar për Projekligjin për Konfiskimin e Pasurisë, ku pati edhe përplasje mazhorancë – opozitë.
Abelard Tahiri nga PDK i tha ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu që ka qasje arrogante në Kuvend.
“Ky debat është i kotë sepse shumica është kundër. Të ecim tutje. Nuk është mirë me pasë kësi qasje arrogante aq të madhe, nuk ju bën mirë as me qytetarë. Jemi shumë korrekt pavarësisht e kemi një ministre që krejt cka dinë me bo, është me dal me fy në foltore”, tha ai.
“Le që e kemi dhënë kontributin e çmueshëm në këto amendamente, por edhe në draftim 2018-2019…Kemi kërkuar që të kemi një dakordim që profesorët e universitetit dhe mjekët të largohen nga listat e deklarimeve. Ne jemi kundër pasi ata nuk janë një kategori që menaxhojnë me paratë publike, mjekët po ashtu, pasi nuk janë një kategori që menaxhojnë me paranë publike, s’janë të ekspozuar ndaj korrupsionit dhe aferave korruptive”, tha ai.
Atij iu përgjigj Haxhiu duke i thënë se “nuk mundem me të marr seriozisht”.
“Propozimi i Qeverisë së Kosovës ka qenë që edhe mjekët dhe profesorët universitar të deklarojnë pasurinë, por deklarimi të mos jetë publik. Pasi kur është hartuar strategjia për sundimin e ligjit, ka rezultuar se këto janë profesione të ndjeshme dhe duhet të adresohet deklarimi i pasurisë së tyre”, theksoi ajo.