Zëdhënësi zyrtar i Kremlinit ka reaguar ndaj votimit të sotëm në të cilin Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së ka miratuar dërgimin e 60.8 miliardë dollarëve ndihmë të huaj për Ukrainën.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Dmitry Peskov thotë se ndihma ushtarake “do të shkatërrojë më tej Ukrainën, duke bërë që më shumë ukrainas të vdesin për fajin e regjimit të Kievit”.
Përveç këtyre, Peskov tha se masa do të shkaktojë “dëm të pariparueshëm” në imazhin e Amerikës.
Ndryshe, demokratët dhe republikanët u bashkuan pas muajsh bllokimi mbi mbështetjen e ripërtërirë amerikane për të ndihmuar Ukrainën të shmangë pushtimin rus.
E presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shkroi në Twitter duke thënë se ishte “mirënjohës” për vendimin, i cili tha se “e mban historinë në rrugën e duhur”.
Kujtojmë se presidenti i SHBA-së, Joe Biden kërkoi për herë të parë financimin në tetor, pasi furnizimet ushtarake të Ukrainës filluan të pakësohen.
Paketa tani do të shkojë në Senatin amerikan, ku ka të ngjarë të miratohet të martën. Biden më pas ka premtuar se do ta nënshkruajë atë menjëherë.