Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, vlerëson se ka një angazhim të të gjithëve kundër LDK-së, duke përfshirë edhe një përputhje ideologjike të PDK-së dhe VV-së.
Haziri ka thënë se LDK-ja qëndron më mirë se që është perceptimi publik.
“Le të themi që perceptimi publik nuk është e vërtetë apo ajo çka e mendojnë njerëzit nuk qëndrojnë, realisht është një angazhim i të gjithëve kundër LDK-së politikisht. Kjo tashmë po vërehet jo vetëm në këtë vit por edhe viteve të tjera, kjo për dallim ideologjish të partive të caktuara, por kur vjen kundërshtia dhe fronti i përbashkët me refuzuar dhe me punuar kundër LDK-së organizohen bëhen bashkë, po shihet tash një përputhje ideologjike në hijen mes PDK-së edhe VV-së karshi LDK-së, por ne gjithmonë dimë të befasojmë për të mirë kështu që ne besojmë shumë në reagimin qytetar, ngritja jonë politike dhe votuesi ka me votuar ditën e votimit në kuti dhe jo në sondazhe”, tha Haziri për EO.
Haziri thotë se koha e zgjedhjeve është e vështirë pasi ato janë të jashtëzakonshme, por beson që LDK-ja do të dalë mirë në zgjedhje, duke shtuar se pa këtë parti s’ka as zgjedhje e as zgjidhje.
“Besoj që do dalim politikisht mirë, do të kemi test të vështirë sepse zgjedhjet janë të hershme, të jashtëzakonshme, ne jemi në qeveri kemi qenë në koalicion me VV-në tash jemi me të tjerët, por për këta dhjetë muaj ne kemi qeverisur dhe as nuk kemi pasur kohë me punuar shumë, me u dëshmua por kemi riparuar probleme, kemi përmirësuar dhe kemi ndikuar jashtëzakonisht shumë sidomos në raportet me partnerët ndërkombëtar, por edhe në politikat e brendshme. Shpresoj shumë që do ketë mirëkuptim qytetar për këtë kohë të shkurtër por LDK-ja mbetet parti pa të cilën nuk ka as zgjidhje as zgjedhje, kështu që roli jonë edhe pas zgjedhjeve ka me qenë kritik në ndërtimin e institucioneve”, është shprehur Haziri.
Nënkryetari i LDK-së, po ashtu ka shprehur besimin se kjo parti do të dalë fituese, duke thënë se sistemi zgjedhor në Kosovë s’lejon fitues të madh.