Sipas një deklarate të lëshuar nga Gjykata e Lartë e Holandës, është miratuar dënimi për “kundërvajtjen penale të fyerjes” dhënë Wildersit nga Gjykata e Apelit të Hagës në shtator 2020, transmeton Kosova Post.
Me këtë vendim, dënimi i Wildersit, në gjyq prej 7 vitesh për deklaratat e tij në lidhje me marokenët në mars 2014, mori trajtën përfundimtare.
Në deklaratë, u shpreh se kundërshtimi i Wildersit ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit nuk u pranua dhe se Prokuroi i Përgjithshëm i Gjykatës së Lartë të Holandës, Johannes (Jos) Silvis, gjithashtu dha mendimin e tij në favor të miratimit të dënimit.
Pas miratimit të dënimit, Geert Wilders bëri një deklaratë nga llogaria e tij personale në rrjetin social “Twitter”.
“Holanda është një vend i korruptuar, ku sundimi i ligjit ka dështuar”, tha ai.
Duke theksuar se nuk do ta marrë në konsideratë vendimin në fjalë, Wilders tha se ai do të vazhdojë të flasë.
Procesi gjyqësor në lidhje me Wildersin filloi pas deklaratave që ai bëri gjatë zgjedhjeve lokale të mbajtura në 19 mars 2014.
Ai u lirua nga akuzat për “nxitje të diskriminimit” dhe “gjuhë urrejtjeje”, por u dënua për “fyerje” në çështjen e hapur për deklaratat e tij në lidhje me marokenët.
Këtë vendim e çuan në Gjykatën e Lartë si Wildersi ashtu edhe Prokuroria e Përgjithshme e Holandës.
Në takimin vlerësues të rezultateve zgjedhore, lideri i PVV-së ekstremiste të djathtë i pyeti anëtarët e partisë së tij “nëse ata donin më pak apo më shumë marokenë në këtë qytet dhe në Holandë”. Kur mori përgjigjen “pak, më pak”, ai bëri deklaratën: “Ne do të bëjmë ç’të jetë e nevojshme.”
Pas këtyre fjalëve, të cilat shkaktuan një reagim të madh në shoqëri, rreth 6.400 kallëzime penale u ngritën kundër Wildersit nga një shtresë e gjerë e shoqërisë, përfshi këtu organizatat joqeveritare marokene dhe disa komuna e institucione holandeze.
Gjykata e shpalli deputetin Wilders fajtor për fyerje dhe nxitje të diskriminimit kundër një grupi pakicash, por vendosi që ai të mos dënohej më tej duke thënë se ky ishte një dënim i mjaftueshëm