Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, shprehu pikëllimin e tij të hënën për katër anëtarët e një familjeje muslimane që u vranë kur një shofer kamioni shtypi me qëllim ata në London të Ontarios, transmeton Kosova Post.
“Jam i tmerruar nga lajmet nga London, Ontario. Për të dashurit e atyre që u terrorizuan nga akti i urrejtjes, ne jemi pranë jush”, shkroi kryeministri Trudeau në Twitter.
“Islamofobia nuk ka vend në asnjë nga komunitetet tona. Kjo urrejtje është tinëzare dhe e neveritshme dhe duhet të ndalet”, tha ai.
Anëtari tjetër i familjes, djaloshi nëntëvjeçar, gjithashtu u godit dhe ai është në spital në gjendje të rëndë, por nuk është në rrezik për jetën.
“Ne jemi gjithashtu këtu për fëmijën që ndodhet në spital, zemrat tona janë me ty dhe do të jesh në mendimet tona derisa të shërohesh”, shkroi Trudeau në Twitter.
Ndërsa emrat e viktimave nuk janë bërë të ditur, policia tha se në mesin e të vdekurve janë një grua 74-vjeçare, një burrë 46, një grua 44 dhe një vajzë 15-vjeçare. Incidenti ndodhi rreth orës 20:40 të dielën.
Policia tha se shoferi, i cili kishte veshur një pajisje të ngjashme me jelekun antiplumb, u arrestua pak më vonë rreth shtatë kilometra nga vendi i ngjarjes.
Shoferi, Nathaniel Veltman, 20-vjeç, është akuzuar për katër akuza të vrasjes së shkallës së parë dhe një akuzë për vrasje në tentativë, tha policia.
“Ka prova që ky ishte një akt i planifikuar, i paramenduar dhe se familja u vu në shënjestër për shkak të besimit të tyre musliman”, tha Inspektori i Policisë në London Paul Waight në një konferencë shtypi.
Në një konferencë për shtyp virtuale të hënën, kryetari i bashkisë së qytetit London gjithashtu dënoi krimin.
“Më lejoni të jem i qartë, ky ishte një akt i vrasjes masive të kryer kundër muslimanëve, kundër londinezëve dhe që ka rrënjë në urrejtje të patregueshme”, tha kryetari i bashkisë Ed Holder.
London është një qytet me rreth 405.000 banorë, rreth 200 kilometra në jugperëndim të Torontos. Policia tha se familja po ecte përgjatë një rruge dhe ishte ndalur për të kaluar në një kryqëzim kur kamioni u drejtua mbi trotuar dhe i goditi ata. Veltman është caktuar të paraqitet në gjykatë të hënën.aa.