Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Iniciativa për Progres (INPO), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, të shtunën kanë mbajtur konferencë për media, ku kanë publikuar raportin analitik: “Ndjekja dhe gjykimi i korrupsionit në prokurimin publik”, i cili raport është analizë e politikës së ndjekjes dhe dënimeve në rastet e veprave penale që ndërlidhen me prokurimin publik, transmeton KosovaPost.
Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD ka thënë se sistemi i drejtësisë ende nuk i është qasur me seriozitet parandalimit dhe luftimit të korrupsionit në fushën e prokurimit publik, ndonëse potenciali korruptiv në këtë sferë është mjaft i lartë.
Shala deklaroi se gjetjet e këtij raporti analitik tregojnë për një politikë jo adekuate të hetimit dhe ndjekjes penale nga Prokurori i Shtetit, i cili nuk ka treguar rol proaktiv në ngritjen e aktakuzave me vetiniciativë dhe për trajtim të ngadalshëm të këtyre rasteve nga sistemi gjyqësor.
Sipas Shalës, përkundër ekzistimit të shumë mekanizmave anti-korrupsion dhe faktit se të gjitha institucionet publike janë edhe autoritete kontraktuese, ku potenciali për korrupsion është i lartë, kemi pak denoncime të këtyre rasteve në Prokurorin e Shtetit. Po ashtu, sipas Shalës, problematike paraqitet edhe injorimi i raporteve të Zyrës Kombëtare të Auditimit nga Prokurori i Shtetit, ku Prokurori i Shtetit nuk ka ngritur asnjë aktakuzë pas hetimit të iniciuar mbi gjetjet e këtyre raporteve.
Ndërkaq, hulumtuesi Mirvet Thaqi tha se gjetje tjetër e këtij raporti është edhe mosfokusimi adekuat i sistemit të drejtësisë në luftimin e korrupsionit në fushën e prokurimit publik përmes konfiskimit të pasurisë së përfituar në mënyrë të kundërligjshme. Krahas kësaj, Thaqi ka thënë se në asnjë rast të korrupsionit në fushën e prokurimit publik, nuk është aplikuar Ligji për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë.