Tronditëse ishte ngjarja e ndodhur të premten në qytetin e Ferizajt.
Një 30 vjeçar mbeti pa shenja jete si pasojë e të shtënave me armë zjarri në drejtim të tij.
Viktima Gazmend Hyseni u godit disa herë radhazi me armë zjarri nga personi i dyshuar për vrasjen, Qëndrim Januzi.
E në bazë të disa pamjeve të publikuara në media pas ngjarjes është parë se i pranishëm në vend të ngjarjes ishte edhe një zyrtar policor.
I njëjti bashkë me disa kolegë të tjerë ishin rastësisht në vendngjarje, por pas rrezikut që u kanos nga arma e zjarrit polici i veshur me rroba civile shtiu me armë zjarri në drejtim të të dyshuarit, nga ku më pas mbeti i plagosur.
Zyrtari policor nga Njësiti Antidrogë në kuadër të Policisë së Kosovës u vendos të suspendohej nga puna për 72 orë, por pas verifikimit të pamjeve filmike, Inspektorati Policor i Kosovës ka marrë vendim që të mos vazhdojë rekomandimin për vazhdimin e suspendimit.
Nga Inspektorati Policor i Kosovës kanë konfirmuar se rasti do të vazhdojë të hetohet në procedurë të rregullt, por se nuk është rekomanduar vazhdimi i suspendimit.
“Nuk kemi rekomanduar vazhdimin e suspendimit”, u tha në përgjigjen e Zyrës për Informim nga Inspektorati Policor.
E lidhur me këtë çështje u deklarua edhe Kryeshefi i IPK-së, Kushtrim Hodaj.
“Fillimisht ishte vlerësuar nga hetuesi që zyrtari policor të suspendohet për 72 orë, deri në sqarimin e rrethanave të rastit. Por, pas verifikimit të pamjeve filmike, IPK ka vendosur që mos të rekomandojë vazhdimin e suspendimit, ndërkaq rasti do të hetohet në procedurë të rregullt, sipas autorizimeve të Prokurorisë”, ka deklaruar ai.
Ndryshe nga IPK ishte theksuar se më 28 maj 2022 pas mesnatës, hetuesit e IPK-së janë njoftuar për rastin në fjalë ku sipas informatave fillestare në Ferizaj një zyrtar policor kishte përdor armën e tij zyrtare duke gjuajtur në drejtim të një personi që dyshohet të ketë qenë i armatosur dhe i cili dyshohet për vrasje që kishte ndodhur pak më herët në lokacionin e njëjtë.
“Me të pranuar informacionin hetuesit e IPK-së janë dalë në vendin e ngjarjes ku në koordinim me ekipet tjera reaguese policore dhe Kryeprokurorin e Prokurorisë në Ferizaj kanë ndërmarrë disa veprime hetimore duke përfshirë këtu përveç tjerave edhe identifikimin e disa kamerave të sigurisë të cilat kanë mundur të mbulojnë me pamje vendin ku ka ndodhur incidenti.Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore në koordinim me prokurorin kompetent duke përshirë edhe rezultatet e ekzaminimeve të ndryshme forensike, mjeko ligjore, balistike etj. për të vërtetuar se a janë plotësuar kushtet ligjore për përdorimin e armës zyrtare dhe për të ndriçuar të gjitha rrethanat lidhur me rastin.”, ishte thënë nga IPK pas rastit të ndodhur të premten në Ferizaj.
Tutje u tha se IPK do të mbajë të informuar opinionin e gjerë lidhur me të gjeturat dhe rezultatet e hetimit në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit.
Gjatë ditës, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari deklaroi se tani për tani mbi zyrtarin policor rëndojnë dyshimet se ka kryer veprat penale: Keqtrajtim i ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike.
I dyshuari në vrasjen e Gazmend Hysenit nga Ferizaj, Qëndrim Januzi vazhdon të trajtohet në spital, derisa në seancën dëgjimore të së shtunës ishte deklaruar shkurt kur atij i ishte prezantuar avokati mbrojtës.
Madje nga mjekët kujdestar ishte thënë se gjendja e tij i pamundëson deklarimin më gjerësisht.
I lartcekuri ishte i njohur për autoritetet e sigurisë dhe të hetuesisë në vend për shkak të veprave të kryera më herët./Lajmi.net/