Antonio Conte nuk do të jetë më trajner i Interit. Lajmi që qarkullonte prej rreth 24 orësh në mediat italiane, është bërë zyrtar pasditen e sotme pasi ka qenë vetë klubi zikaltër që ka komunikuar divorcin nëpërmjet një komunikate zyrtare.
Vetëm tri ditë pas ceremonisë zyrtare të titullit kampion, i fituar që në fillim të muajit maj, erdhi edhe divorci mes palëve, teksa shkak duket se është bërë ndërprerja e projektit të nisur dy sezone më parë nga palët.
Vështirësitë financiare që po kalojnë zikaltrit për shkak të pandemisë, kanë bërë që drejtuesit të mos i garantojnë Contes vazhdimin e projektit sportiv, si dhe ruajtjen e fuqizimin e grupit fitues të titullit kampion.
Për këtë arsye trajneri vendosi të mos vijojë më bashkëpunimin dhe sipas mediave italiane, palët kanë arritur një marrëveshje për zgjidhjen e kontratës, nga e cila Conte do të fitojë një dëmshpërblim prej 7.5 milionë eurosh.