Irani ka liruar cisternën vietnameze të naftës SOTHYS, të cilën e ndaloi dy javë më parë për gjoja “vjedhje të naftës” në Detin Arabik, transmeton Kosova Post.
Sipas lajmit nga media shtetërore iraniane, bazuar në kompaninë gjurmuese të anijeve TankerTrackers, thuhet se cisterna u lirua, e cila u ndalua nga Ushtria e Gardës Revolucionare me arsyetimin se kishte transferuar naftë iraniane, shkruan AA.
Ndërsa nuk u dhanë informacione për ekuipazhin prej 26 personash në cisternë.
Më 3 nëntor, Irani publikoi pamjet e kapjes së cisternës vietnameze të naftës në Detin Arabik më 25 tetor. Ushtria e Gardës Revolucionare të Iranit në deklaratën e saj për këtë çështje pretendon se SHBA-ja “përpiqej të vidhte naftën iraniane” dhe njoftoi se Irani sekuestroi cisternën nga e cila u transferua nafta.
Një zyrtar i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes (Pentagon) në një deklaratë për AA tha se pretendimi i Gardës Revolucionare të Iranit nuk pasqyron të vërtetën.
Zv/zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Vietnamit më 4 nëntor deklaroi se kanë kontaktuar me Iranin në lidhje me cisternën e kapur me flamur vietnamez dhe se zhvillimet janë ndjekur nga afër.