Një kontrabandist tha se disa prej tyre zgjedhin të qëndrojnë në Iran, ndërsa disa preferojnë të vazhdojnë për në Turqi dhe të shkojnë më tej në Evropë, që është një “propozim i shtrenjtë dhe i mbushur me rrezik”, transmeton Kosova Post.
Shumë ushtarë dhe civilë afganë gjatë dy javëve të fundit kanë kërkuar strehë në Iran, pasi talebanët filluan të marrin me shpejtësi nën kontroll provincat në rrugën e tyre për të pushtuar kryeqytetin Kabul.
Në javën e parë të muajit gusht, kur talebanët rrethuan provincën jugperëndimore Nimrouz, një vargan makinash ushtarake që transportin ushtarë afganë kaloi në Iran, shkruan AA.
Zyrtarët iranianë thanë se civilët dhe ushtarët gjatë dy javëve të fundit kanë vazhduar të kalojnë kufirin. Irani ka rritur sigurinë përgjatë vijës kufitare të gjatë 921 kilometra, e cila dyshohet se ka qenë një rrugë për migrim ilegal dhe trafik droge.
Derisa Irani ka ndaluar lëshimin e vizave për shtetasit afganë, në tre provinca kufitare iraniane janë ngritur kampe të përkohshme për të pritur refugjatët. Besohet se shumë refugjatë kanë hyrë në qytete të ndryshme iraniane me ndihmën e kontrabandistëve dhe agjentëve të trafikimit të qenieve njerëzore.
Duke folur për AA, një refugjat 36-vjeçar nga provinca Ghazni e Afganistanit tha se para se të arrinte në Iran grupi i tij duhej të ecte në këmbë për orë të tëra, duke u përballur me nxehtësinë e fortë dhe urinë.
I shoqëruar nga gruaja dhe djali i tij 8-vjeçar, refugjati i cili donte të mbetej anonim, tha se ai u largua nga vendlindja, qyteti Jaghori në Ghazni, dy ditë para se talebanët të rrethojnë kryeqytetin provincial.
“U largova nga shtëpia, nga gjërat, nga rrënjët, për shkak të familjes sime. Nuk më intereson kush udhëheq Afganistanin, por përvoja jonë e regjimit talebanë nuk ka qenë e mirë”, tha ai.
Sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatë (UNICEF), Irani është shtëpi e 1 milion afganëve të regjistruar dhe veç kësaj dy milionë refugjatë janë pa dokumente.
Shumica dërrmuese e tyre, të zhvendosur nga lufta në vendin e tyre, jetojnë në qytetet kryesore iraniane si në Teheran, Mashhaq, Isfahan, Qom dhe Kerman, si dhe punojnë punë fizike.
Sipas të dhënave të OKB-së, rreth 400 mijë afganë janë zhvendosur që nga fillimi i vitit, me pothuajse 300 mijë prej tyre që ikin nga muaji maj kur talebanët filluan ofensivën e tyre në shkallë të gjerë.
– Kthimi i eksodit
Shumë refugjatë afganë, që qëndruan në Iran gjatë viteve të fundit, kishin filluar të kthehen në vendin e tyre në vazhdën e ekonomisë së goditur në Iran për shkak të sanksioneve të udhëhequra nga SHBA-ja dhe kriza nga pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19).
Por, me kthimin e talebanëve, eksodi ka filluar përsëri.
“Kisha planifikuar të kthehem në shtëpinë time në provincën Bamyam pasi gati një dekadë, por plani tani është harruar”, tha Mohammad Nazari për AA, i cili mban dokumente refugjati.
Me më shumë refugjatë që shkojnë drejt kufirit me Iranin, kontrabandistët po bëjnë një biznes të zhurmshëm.
Një kontrabandist për AA tha se ai javët e fundit ka transportuar tre herë grupe të refugjatëve afganë, duke u kërkuar deri në 150 dollarë për kalimin nga kufiri deri në Teheran përmes provincës Kerman.
Ai tha se disa prej tyre zgjedhin të qëndrojnë në Iran, ndërsa disa preferojnë të vazhdojnë për në Turqi dhe të shkojnë më tej në Evropë, që është një “propozim i shtrenjtë dhe i mbushur me rrezik”.
Ai shtoi se udhëtimi nëpër Iran është “njëlloj i rrezikshëm” dhe mund të zgjasë disa ditë me makinë nëpër këneta dhe shkretëtira, duke iu shmangur forcave të sigurisë, para se të arrijë në ndalesën përfundimtare.
– Marrëdhëniet e Iranit me grupet afgane
Irani në vitet e fundit ka mbajtur kontakte të ngushta me të dyja palët ndërluftuese afgane dhe ishte i shpejtë në përshëndetjen e përpjekjeve drejt transferimit të qetë të pushtetit në Kabul pas marrjes nën kontroll të talebanëve.
“Irani duket se ka hequr dorë nga mos pranimi i sundimit të talebanëve, siç bëri në vitet e 1990-ta, për t’i trajtuar ato siç bëjnë ata me shumë grupe terroriste dhe të dyshuara. Kjo është, kryesisht, për të vendosur kontakte me ta, por edhe për të krijuar ndikim kundër tyre”, tha Alireza Ahmadi, një analistë i çështjeve strategjike.
Ai tha se talebanët i kanë dhënë garanci Iranit se interesat e tij nuk do të dëmtohen.
Në vitin 1998, Irani bëri që regjimi i atëhershëm taleban të vijë në prag të konfrontimit ushtarak kur tetë diplomatë iranianë dhe një gazetar u vranë në konsullatën iraniane në qytetin afgan Mazar-i Sharif.
Vitet e fundit, me rritjen e tensioneve të Iranit me SHBA-në, si dhe me shfaqjen e DEASH-it në Afganistan, kontaktet e Iranit me talebanët janë rritur gradualisht, me liderët e lartë të grupit që vizitojnë Teheranin.
Zyrtarët iranianë kanë bërë thirrje për një qeveri “përfshirëse” në Kabul, me pjesëmarrjen e të gjitha grupeve politike dhe etnike, përfshirë talebanët, derisa grupi është zotuar se nuk do të dëmtojë interesat iraniane.
Të hënën, presidenti i sapo zgjedhur i Iranit, Ebrahim Raeisi, tha se transferimi i pushtetit në Kabul paraqet një “mundësi” për të “rivendosur jetën, sigurinë dhe paqen e qëndrueshme” në vend, duke përshëndetur në mënyrë indirekte sundimin taleban dhe fundin e ndikimit amerikan në vend.