Gjërat nuk kanë shkuar sikurse në seancat e mëparshme solemne për përvjetorin e pavarësisë së Kosovës, shkruan KosovaPost.
Derisa, sot në Kuvendin e Kosovës është mbajtur seancë solemne për 14-vjetorin e Pavarësisë, në momentin kur fjalën e kishte Kryeministri Albin Kurti, deputetët e opozitës e lëshuan sallën.
Deputetët e LDK-së deklaruan se fjalimi i Kryeministrit Kurti nuk kishte të bënte me përvjetorin e Pavarësisë, ata theksojnë se Kurti këtë e shfrytëzoi në mënyrë të keqe, duke lavdëruar Qeverinë.
KosovaPost e ka kontaktuar ish-kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa i cili lëshimin e sallës e ka cilësuar si gjest institucionalist, në momentin kur abuzohet me Pavarësinë.
“Gjest institucionalist është edhe me e lëshuar sallën, kur dikush abuzon me solemnitetin e Pavarësisë. Në këtë ditë kujtohen dhe nderohen institucione, individë e miq që kontribuan për pavarësi. Janë ditë dhe raste tjera kur Kryeministri do të dëshmojë se çfarë ka punuar e çfarë s’ka punuar në vitin 2021.”, përfundoi ai.