Lidhur me barrikadat në veri të Kosovës, kanë pasur një “debat” diplomati gjerman Wolfgang Ischinger dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.
Ischinger të shtunën ishte shprehur i shqetësuar me tensionet dhe i kishte kërkuar BE-së që reagojë për situatën në Veri.
Ai gjithashtu kishte edhe një pyetje nëse Serbisë i është bërë me dije se nxitja e dhunës ndaj një shteti fqinj si Kosova do të bëjë të pamundur vazhdimin e procesit drejt anëtarësimit në BE.
Pas këtij posimi, reagoi kryeministrja e Serbisë, duke e pyetur nëse i dinë “arsyet” pse serbët në veri po qëndrojnë në barrikada.
“I dashur Ischinger, a e dini pse serbët po protestojnë? Lutjet e tyre janë: 1) Të implementohet Marrëveshja e Brukselit (e nënshkruar në vitin 2013!); 2) Rregullat bazike të sundimit të ligjit (mos të arrestohet sipas dëshirës dhe të mbahet peng pa pasur asnjë kontakt me familjet e tyre). Është tepër për të kërkuar? Në kundërshtim me vlerat e BE-së?” – ka shkruar Bërnabiq.
Ischinger iu është kundërpërgjigjur duke thënë se nuk zgjidhen çështjet duke nxitur dhunë.
“Ka sigurisht kërkesa legjitime, nga të dyja palët, në fakt. Ajo që nuk është në rregull, është që të adresohen shqetësimet e tilla nëpërmjet nxitjes së dhunës dhe shqetësimit publik. Serbia e di saktësisht si të veprojë si fuqi e përgjegjshme! Krishtlindja do të thotë paqe!” – ka shkruar Ischinger në Twitter.