Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë ka lënë në fuqi vendimin për dënimin e ish-kryeprokurorit të përgjithshëm të Shqipërisë, Adriatik Llalla, transmeton KosovaPost.
Në njoftimin e kësaj gjykate thuhet se ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të datës 20 maj 2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që e dënon ish-kryeprokurorin me dy vite burg.
Gjithashtu gjykata ka vendosur heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurin Llallën për një periudhë 5-vjeçare
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e shpalli fajtor ish-kryeprokurorin Llalla më 20 maj 2021 për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Në një prononcim për mediat pas shpalljes së vendimit, avokati i ish-kryeprokurorit Llalla, Sokol Hazizaj, tha se Llalla ndodhet në regjim spitalor.
Hazizaj tha se do të ndjekin realizimin e një procesi të rregullt ligjor në Gjykatën e Lartë.
Adriatik Llalla ka mbajtur postin e prokurorit të përgjithshëm të Shqipërisë në vitet 2012-2017./AA