Ish-ushtarët u dërguan letra ministrave të Mbrojtjes dhe Sigurisë së Brendshme për përvojat e tyre në Bregun Perëndimor, transmeton Kosova Post.
Rreth 100 ish-ushtarë izraelitë të cilët ishin stacionuar në Bregun Perëndimor të okupuar kanë kërkuar që ministrat e Mbrojtjes dhe Sigurisë së Brendshme të Izraelit të ndalin dhunën nga kolonët hebrenj kundër palestinezëve, raporton AA.
Sipas një raporti në Radion e Ushtrisë Izraelite, ish-ushtarët, të cilët sapo kanë përfunduar shërbimin e tyre ushtarak, i dërguan një letër ministrit të Mbrojtjes, Benny Gantz dhe ministrit të Sigurisë së Brendshme, Omer Bar-Lev rreth përvojave të tyre në Bregun Perëndimor të okupuar.
Duke bërë thirrje për veprim “kundër fenomenit të dhunës së kolonëve”, ish-ushtarët thanë se përgjegjësia për t’iu kundërvënë dhunës së kolonëve hebrenj u takon Gantz dhe Bar-Lev.
Dhuna e kryer nga kolonët hebrenj kundër palestinezëve është rritur me mbështetjen e dukshme të shtetit izraelit për vite me radhë, thuhej në letër, duke shtuar: “Ne jemi ata që shërbejmë atje dhe kemi parë personalisht se si ndodhë kjo dhunë në terren”.
Fenomeni i dhunës së kolonëve u manifestua dhe u intensifikua vitin e kaluar si “dëmtim i pronës private, hedhje gurësh, dhunë fizike kundër palestinezëve dhe sulme ndaj aktivistëve dhe forcave të sigurisë (izraelite)”, shtohet më tej.
“Ne u dërguam për t’i mbrojtur ata (kolonët hebrenj), por nuk kishim asnjë mënyrë për t’u bërë ballë atyre”, tha ai.
Sipas të dhënave nga Ministria e Mbrojtjes së Izraelit, gjithsej 370 incidente të dhunës të kryera nga kolonët hebrenj në Bregun Perëndimor u raportuan në vitin 2020, ku 42 prej tyre ishin kundër policisë dhe ushtarëve izraelitë.
Sipas vlerësimeve izraelite dhe palestineze thuhet se rreth 650 mijë kolonë jetojnë në Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin e okupuar, në 164 vendbanime dhe 116 paralagje.
Sipas ligjit ndërkombëtar, të gjitha vendbanimet izraelite në territoret e okupuara konsiderohen të paligjshme.