MPB: Serbia po mban në ndalim zv.Drejtorin e Policisë dhe 4 zyrtar policor

Ministria e Punëve të Brendshme ka dënuar ndalimin e qytetarëve në pikat kufitare të Serbisë dhe kërkon lirimin e menjëhershëm të tyre dhe zyrtarëve policorë të ndaluar, transmeton KosovaPost.

Në një komunikatë për medie, MPB thotë se Serbia ka aktivizuar metodat e saj të hakmarrjes duke keqtrajtuar qytetarët, pas fitores së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Nga mëngjesi i hershëm janë targetuar autobusë dhe automjete që po transportonin qytetarët tanë nga perëndimi drejt Kosovës apo anasjelltas, duke i ndaluar ata, duke i’u konfiskuar dokumentet personale dhe duke i intervistuar pa asnjë arsyetim paraprak. Qytetarët tanë janë mbyllur në zyret e autoriteteve të Serbisë me orë të tëra dhe nga persona të ndryshëm janë intervistuar për pjesëmarrjen apo lidhjet e tyre eventuale me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës apo me luftën në Kosovë.

Ky akt i Serbisë duke i’u ndaluar lëvizjen dhe duke i maltretuar për mbi 20 orë qytetarët tanë pa dallim moshe dhe gjinie, shkelë çdo normë njerëzore e mbi të gjitha është shkelje flagrante e Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në komunikatë.

Ndërkohë nga MPB bëjnë me dije se që nga mëngjesi i sotëm është duke u mbajtur në ndalim pa asnjë sqarim edhe zëvëndësdrejtori i Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb Dejan Jankovic dhe katër zyrtarë të tjerë policor.

“Sipas informacioneve që posedojmë, zëvëndësdrejtori Jankovic është dërguar në Rashkë dhe duke njohur këtë praktikë të përsëritshme të Serbisë ndaj qytetarëve dhe zyrtarëve policor, i njëjti intervistohet nga akterë të ndryshëm shtetërorë të Serbisë.

Institucionet përkatëse janë në proces të sigurimit të informacioneve të sakta për të sqaruar situatën e krijuar por nga ato që posedojmë deri tash, në ndalim kanë qenë 10 pjesëtarë të Policisë së Kosovës (shqiptarë dhe serb) të cilët janë ndaluar në kalimet kufitare Merdar, Jarinje, Dheu i Bardhë dhe në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë. 5 nga ta janë liruar ndërsa 5 ndodhen akoma në mbajtje, duke përfshirë edhe Zëvëndësdrejtorin Jankovic”, thuhet tutje në komunikatën e MPB-së.

Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës si dhe institucionet përkatëse janë duke përcjellur me vëmendje informatat e pranuara dhe të njëjtat janë duke u ndarë edhe me partnerët ndërkombëtar.

“I bëjmë thirrje autoriteteve të Serbisë për lirim të menjëhershëm të gjithë qytetarëve dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të ndaluar pa asnjë arsyetim dhe në shenjë hakmarrje për Republikën e Kosovës. Ndërkaq, kërkojmë nga i gjithë faktori ndërkombëtar të dënohet fuqishëm kjo sjellje e Serbisë karshi qytetarëve të Republikës së Kosovës. Të tilla akte janë bërë vazhdimisht nga ky shtet për çka ritheksojmë se në burgjet e Serbisë tashmë ka shumë qytetarë që mbahen padrejtësisht për të njëjta motive ndaj vendit tone”, theksohet në këtë komunikatë të Ministrisë së Brendshme.

Ndërkohë ky institucion u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që t’i shmangin udhëtimet përmes Serbisë.

Institucionet e Republikës së Kosovës për të qenë në dispozicion të bashkatdhetarëve dhe qytetarëve ka aktivizuar numrat emergjent ku mund të kontaktoni:

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar: 0800 500 95

Qendra Operative e Policisë së Kosovës: 0800 199 99,

si dhe në numrat: 046 51 00 51 dhe 046 41 00 41

 

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish

Tjera nga rubrika