Ushtria izraelite ka vendosur të fshehë identitetin e ushtarëve të saj të përfshirë në sulmet në Rripin e Gazës për të shmangur gjykimin e tyre në arenën ndërkombëtare, transmeton Anadolu.
Sipas rregullores së re të njoftuar nga ushtria izraelite, janë vendosur kufizime të reja në lidhje me intervistat për mediat të ushtarëve në detyrë aktive dhe atyre rezervë.
Me rregulloren e re që u bë pas iniciativave të ndërmarra nga grupet pro-palestineze në vende të ndryshme për gjykimin e ushtarëve izraelitë, u vendos që fytyrat dhe emrat e plotë të oficerëve nën gradën e gjeneral brigade të fshihen gjatë intervistave që ata do të japin për mediat.
Anëtarët e Departamentit të së Drejtës Ndërkombëtare të Prokurorisë Ushtarake të Izraelit do të informojnë ushtarët që do të flasin për mediat dhe se publikimi i pamjeve do të jetë i mundur pas miratimit të censurës ushtarake.
Ushtria izraelite thuhet se ka paralajmëruar ushtarët e saj se ata mund të përballen me sanksione penale ose mund të gjykohen jashtë vendit për shkak të sulmeve që vazhdojnë në Rripin e Gazës.
– Brazili nis hetimet ndaj ushtarit izraelit të akuzuar për krime lufte
Pas një kallëzimi penal nga Fondacioni Hind Rajab (HRF), më 5 janar Gjykata Federale në Brazil vendosi të hetojë një ushtar izraelit i cili vizitoi vendin për qëllime turistike.
Qeveria braziliane mori masa pasi Fondacioni ngriti kallëzim penal kundër ushtarit izraelit i cili erdhi në Brazil si turist një javë më parë dhe gjykata i dha “udhëzime urgjente” policisë për të hapur hetim ndaj ushtarit izraelit, emri i të cilit nuk zbulohet.
Kanali televiziv shtetëror izraelit KAN në lajmin e tij më 6 janar tha se që nga fillimi i sulmeve në Rripin e Gazës ka pasur rritje në përpjekjet jashtë vendit për të gjykuar ushtarët izraelitë.
Në lajm thuhet se për rezervistët janë bërë rreth 50 ankesa dhe se 10 prej këtyre janë kthyer në hetime në vendet përkatëse, por që deri tani nuk është regjistruar asnjë arrestim.