Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se gjatë qeverisjes së tij janë punësuar dyfishi i të rinjve në tregun e punës, shkruan KosovaPost.
Kurti ka thënë se këto tre vite, punësimi është në nivele të paharrueshme, duke u dyfishuar numri i të rinjve të punësuar në tregun e punës.
Eksportet dhe investimet e huaja direkte gjithashtu janë dyfishuar.
Bruto Produkti Vendor është rritur nga 6.7 miliardë euro në 9.6 miliardë euro, duke sjellë një rritje prej 3 miliardë eurove për tri vite qeverisje, me deficit minimal.
Në krahasim me qeveritë e kaluara, të cilat kërkonin tre vite për të shtuar 1 miliard euro në ekonomi përmes borxheve dhe privatizimit, qeveria jonë ka arritur këtë sukses në mënyrë të qëndrueshme.
Ky rezultat na bën të ndjehemi krenar dhe të motivuar për të vazhduar punën e palodhur për qytetarët tanë, duke u bazuar në besimin e tyre të vazhdueshëm në qeverinë tonë.
Postimi i plotë:
Punësimi është më i lartë se çka qenë ndonjëherë. Ka dyfish më shumë të rinj të punësuar në treg të punës se kur e morëm detyrën. Afër 10 mijë të rinj mes moshës 18-29 vjeç janë punësuar përmes platformës qeveritare Superpuna. Mbi 12 mijë gra janë punësuar përmes masave dhe mbështetjes sonë direkte. Eksportet dhe Investimet e Huaja Direkte janë dyfishuar.
Në tri vjet qeverisje rishpërndamë rreth 1.2 miliard euro te qytetarët dhe bizneset përmes masave të shumta, pa krijuar borxhe të reja. Kemi pasur pakon më të madhe mbështetëse në rajonin e Ballkanit për qytetarë në ballafaqim me inflacionin dhe krizën energjetike, si përqindje e Bruto Produktit Vendor sipas Raportit të Bankës Botërore. Shpenzimet kapitale në vitin e kaluar shënuan vlerë rekord prej 555 milionë euro të ekzekutuara. Ndërkohë që borxhin publik e kemi në nivelin më të ulët në Evropë.
Për këto e më shumë, jemi krenar dhe ballëhapur. Tre vjet pas, entuziazmi i qytetarëve për qeverinë tonë është vullneti ynë për të shërbyer. Besimi i tyre për qeverinë tonë është vlerësimi më i lartë për punën e deritanishme dhe frymëzimi për punën që vazhdon.