Deputeti shqiptar në Serbi Shaip Kamberi tha se ndaj tre policëve të Kosovës të rrëmbyer nga forcat serbe dyshohet se është ushtruar dhunë.
Kjo, sipas tij pasi duket që Serbia po kërkon kohë për rikuperim të policëve që të vijnë në gjendje më të mirë.
“Ndaj tre policëve dyshohet se është ushtruar dhunë, pasi duket që Serbia po kërkon kohë për rikuperim të policëve që të vijnë në gjendje më të mirë. Kjo nga për përvoja që kam me forcat speciale serbe në Preshevë kur arrestonin të rinjtë. Fakti që DASH kërkon lirimin e tyre pa kushte do të thotë se ka të dhënat që i ka KFOR por për arsye politike po mbahet e heshtur e vërteta”, deklaroi Kamberi në Euronews Albania.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë më 16 qershor se mbetet e paqartë se ku pjesëtarët e Policisë së Kosovës ishin në kohën e arrestimit.
Ky mision tha se ka inspektuar lokacionin ku ka ndodhur ngjarja dhe ka biseduar me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe me autoritetet në Serbi.
Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të policëve të Kosovës.


























