Presidenti dhe shefi ekzekutiv i Anadolu-t, Serdar Karagöz, tha se Anadolu do të vazhdojë të informojë botën për “gjenocidin dhe krimet e luftës” të Izraelit në mënyrën më efektive përmes librave “Dëshmitari”, “Dëshmia” dhe “Autori i krimit”.
Karagöz mbajti një fjalim në Kongresin e Lindjes së Mesme për Politikën dhe Shoqërinë, të organizuar këtë vit me temën kryesore “Konflikti Izrael-Palestinë”.
Kongresi u organizua në Qendrën e Kulturës dhe Kongresit të Universitetit Sakarya të Türkiyes (SAU), në bashkëpunim me Institutin e Lindjes së Mesme të SAU-s, Institutin e Paqes dhe Konflikteve të Universitetit të Granadës të Spanjës dhe Fondacionin Euro-Arab për Studime të Larta (FUNDEA).
Në fjalën e tij, Karagöz deklaroi se fjalët “gjenocid, Gaza dhe Izraeli” janë shfaqur krah për krah që nga tetori i vitit të kaluar dhe se koncepti i gjenocidit është diskutuar në ngjarje të ndryshme në mbarë botën më parë.
Duke vënë në dukje se gjenocidi dhe krimet e luftës kanë përkufizime brenda kornizës së të drejtës ndërkombëtare, por se këto përkufizime zbatohen për disa vende dhe nuk zbatohen kurrë për të tjerët, ai tha: “Pavarësisht gjithçkaje, ne vazhdojmë të regjistrojmë gjenocidet dhe krimet e luftës teksa bota vazhdon tutje”.
“Këto të dhëna mund të mos shndërrohen në ndonjë sanksion para Gjykatës Ndërkombëtare Penale sot, por një ditë kjo do të ndodh. Kjo mund të ndodh kur autorët e këtyre krimeve të jenë larguar nga kjo botë, ose mund të kalojnë vite e vite më vonë, por një ditë autorët e këtyre krimeve do të mbajnë përgjegjësi nga ligji, drejtësia dhe historia”, shtoi ai.
Duke theksuar se ata që punojnë në fushën e medias duhet t’i mbajnë këto të dhëna, Karagöz iu referua gazetarit Seymour Hersh i cili luajti një rol të rëndësishëm në zbulimin e Masakrës “My Lai” gjatë Luftës së Vietnamit.
“Kur hedh një bombë fosfori mbi një qytet, ju kryeni një krim lufte”
Duke shpjeguar se Anadolu ka ndjekur nga afër krimet e luftës të Izraelit në Gaza që nga tetori 2023, Karagöz, duke iu referuar bombave të fosforit të përdorura nga Izraeli, tha: “Ju keni të drejtë të hidhni një bombë fosfori në një tokë të zbrazët, me kusht që të ndriçoni tokën dhe të vëzhgoni elementët e armikut. Megjithatë, kur hedh një bombë fosfori mbi një qytet, siç shihet këtu, padyshim që po kryen një krim lufte përtej çdo dyshimi”.
Ai deklaroi se Anadolu ka kapur momentin kur bombat me fosfor janë ngarkuar në obus dhe se janë marrë fotografi që tregojnë kodin e bombave fosforike.
“Kur e paraqesim këtë fotografi në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, vetëm kjo fotografi siguron që një vend të dënohet, të dënohet për krime lufte”, shtoi Karagöz.
“Ne lëmë gjurmë duke dokumentuar këto gjenocide”
Karagöz theksoi se libri i Anadolu-t “Dëshmia” përmbledh krimet e luftës të kryera nga Izraeli, duke u fokusuar në ligjin ndërkombëtar dhe Statutin e Romës, duke shtuar se është një nga dëshmitë më themelore në gjyqin e gjenocidit në Hagë.
“Ne po lëmë gjithashtu një gjurmë duke luftuar kundër kësaj dhe duke dokumentuar këto gjenocide”, shtoi Karagöz.
Duke u shprehur se libri “Dëshmia” u realizua edhe si një film dokumentar, ai vuri në dukje: “Ky dokumentar tregon një realitet që është shumë i madh për ta kundërshtuar”.
Karagöz tha se përveç librit “Dëshmia”, edhe libri “Dëshmitari” është realizuar në dokumentar, duke shtuar se këtë dokumentar do ta shfaqin në shumë vende të botës.
Duke folur për librin tjetër të Anadolu-t, “Autori i krimit”, Karagöz tha: “Ai do të përfshijë të gjithë ata që janë përfshirë në këto krime, që kanë qenë vetë autorët apo që kanë pasur pjesë në këto krime, duke i mbështetur ata. Izraeli nuk goditi vetëm Gazën. Ai gjithashtu theu rendin juridik ndërkombëtar të vendosur dhe rendin botëror”.
Ai tha se Anadolu i ka mbledhur këto dokumente “jo për rendin juridik ndërkombëtar të sotëm të prishur dhe të falimentuar”, por për rendin e drejtë juridik ndërkombëtar që do të vendoset një ditë.
Duke nënvizuar trajnimin e Anadolu-t për gazetari të luftës, Karagöz shtoi: “Shumë nga miqtë tanë kanë parë luftëra, por askush nuk ka parë ndonjëherë një luftë kaq të madhe, brutale, çnjerëzore”.
Izraeli ka vazhduar një ofensivë shkatërruese në Gaza që nga një sulm në tetor të vitit të kaluar nga grupi i rezistencës palestineze, Hamasi, pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm.
Më shumë se 42.800 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë dhe mbi 100.500 janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Sulmet izraelite në Gaza kanë zhvendosur pothuajse gjithë popullsinë e territorit, krahas një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në Gaza.