Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në seancë plenare po e shqyrtojnë rekomandimin e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.
Kryetarja e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, Fitore Pacolli, duke arsyetuar kërkesën për shkarkim tha se përbërja e këtij bordi është jo profesionale, derisa shtoi se Autoriteti Rregullativ I Hekurudhave nuk ka punuar në modernizimin e transportit hekurudhor.
Pacolli përmendi ngecjen e funksionimit të linjave hekurudhore, përveç asaj Prishtinë-Pejë.
“Autoriteti Rregullativ I Hekurudhave ka dështuar në vënien nën kontroll të qarkullimit ilegal të trenave nga Serbia në drejtim të stacionit në Mitrovicë. Çdo vit kemi rënie të numrit të udhëtarëve në transportin hekurudhor. Gjatë periudhës kohore 2007-2020, kemi rënie të numrit të udhëtarëve nga 417 mijë në 58 mijë e 819 udhëtar. Nuk kemi një analizë të mirëfilltë pse kemi një rënie të tillë”, tha ajo.
Duke kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të votojnë për shkarkimin e këtij bordi, ajo tha se janë konstatuar dështime të shumta.