Paolo Maldini nuk po arrin të gjejë gjuhën e përbashkët me menaxherin e Frank Kessie, për rinovimin e kontratës së këtij të fundit, megjithatë vetë futbollisti nga Bregu i Fildishtë ka qetësuar tifozët kuqezinj me një intervistë të dhënë nga Tokio, ku po kontribuon për përfaqësuesen e vendit të tij në Lojërat Olimpike.
Mesfushori deklaroi se është shumë i lumtur që ka zgjedhur Milanin dhe se dëshiron të qëndrojë përgjithmonë aty, ndaj sapo të rikthehet në Itali, do të zgjidhë edhe ngërçin e rinovimit të kontratës me klubin kuqezi.
“Jam krenar që kam zgjedhur Milanin dhe nuk dëshiroj të largohem, madje kur të kthehem në qytet, do të sistemoj gjithçka sa i përket rinovimit, pasi dua të qëndroj. Do të më pëlqente të isha “Presidenti” përjetë, të paktën në futboll. Më pëlqen kori që më dedikojnë tifozët kuqezi dhe Maldini i di të gjitha këto”, deklaroi Kessie.
Mesfushori 24-vjeçar ka kontratë deri në fund të sezonit të ardhshëm me Milanin, megjithatë drejtuesit e klubit duan t’ia rinovojnë bashkëpunimin që këtë verë, për të mos rrezikuar ta humbin me parametra zero një vit më vonë.
Aktualisht Maldini i ka ofruar një kontratë prej 5.5 milionë eurosh në sezon, që shkon deri në 6 bashkë me bonuset, ndërsa menaxheri i Kessie kërkoi një pagë prej 7 milionë eurosh neto për klientin e tij, ose thënë ndryshe, të njëjtën shifër që përfiton Zlatan Ibrahimovic.
Në fund vendimtare pritet të jetë dëshira e Kessie për të qëndruar në Milano dhe pasi të rikthehet në Itali, mesfushori mund të zgjidhë ngërçin, duke pranuar ofertën e Milanit dhe rinovuar deri në verën e 2024-ës./SS