Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se duke u mbështur në të dhënat nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, 23 Qendrat e Votimit janë mbyllur në orën 19:00.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për Klankosova.tv bëri të ditur se numri i qytetarëve që kanë votuar në procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni i tyre, është gjithsej 253.
Kjo u konfirmua edhe në konferencën e këtij komisioni, ku u bë e ditur se në komunën e Zveçanit nuk ka pasur asnjë votues gjatë këtij procesi votimi, në Leposaviq 124, në Zubin Potok 18 dhe në Mitrovicë të Veriut 111.
Të dhënat e plota:
- Në komunën e Leposaviqit kanë votuar 124 votues nga 13,674 apo 0.91%;
- Në komunën e Zubin Potokut kanë votuar 18 votues nga 6,877 apo 0.26%;
- Në komunën e Zveçanit nuk ka votuar asnjë votues nga 7,209 pra kemi 0%;
Në komunën e Mitrovicës së Veriut kanë votuar 111 votues nga 18,796 apo 0.59%.
Nderkaq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar iniciativa qytetare për largimin e kryetarëve të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut ka dështuar.
Këtë për Klankosova.tv e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi i cili bëri të ditur se deri tek ky konstatim kanë ardhur duke u mbështetur në të dhënat e daljes së votuesve në këtë proces, ku nuk kanë votuar shumica e votuesve të regjistruar siç kërkohet me nenin 72 të Ligjit për Vetëqeversjen Lokale në Republikën e Kosovës, pra nuk është arritur 50% i domosdoshëm.