Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) i kanë reaguar kryeministrit Albin Kurti i cili tha se “KGjK dhe KPK janë ende në heshtje” lidhur me dhunimin e 11 vjeçares.
Këto dy institucione thonë se në raport me këtë çështje janë sjellur si institucione të përgjegjshme, të pavarura dhe profesionale, dhe se kanë ndërmarrë të gjitha veprimet për ta trajtuar këtë rast.
“Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial theksojnë se në raport me këtë çështje sillemi si institucione të përgjegjshme, të pavarura dhe profesionale dhe jo si disa institucione që përmes reagimeve me deklarata publike nuk përngjajnë në institucione shtetërore. Lidhur me këtë rast, ne si institucione kompetente në koordinim të plotë me institucionet tjera relevante, kemi ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme për trajtimin e rastit me profesionalizëm”, thuhet në reagimin e tyre.
KGjK dhe KPK i bëjnë thirrje Qeverisë që të përmbushë përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore për krijimin e kushteve të nevojshme për strehimin dhe rehabilitimin e viktimave të krimit, në mënyrë që viktimat e krimit të mos të mbesin në mëshirën e organizatave joqeveritare për strehim dhe rehabilitim.
“Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial sigurojnë opinionin se janë të vendosur për përmbushjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore lidhur me këtë rast dhe të gjitha rastet e tjera pa përjashtim”.