Autoritetet shëndetësore kineze kanë publikuar udhëzime të reja dhe më të rrepta mbi përdorimin e maskës, e cila tani është përsëri e detyrueshme edhe në ambiente të jashtme, për të përballuar ringjalljen më të keqe të koronavirusit në vend për më shumë se një vit.
Aktualisht, më shumë se gjysma e provincave kineze janë në bllokim, ndërkohë që po kryhen teste masive kundër Covid dhe kufizime udhëtimi të vendosura përsëri për dhjetëra miliona banorë. Një situatë shumë e ndryshme, në krahasim me disa javë më parë, kur jeta në Kinë u kthye kryesisht në normale, përveç disa shpërthimeve të izoluara të infeksioneve dhe në shumë qytete banorët nuk mbanin më maska.
Por të premten, Komisioni Kombëtar i Shëndetit rishikoi udhëzimet, duke i bërë ato shumë të ashpra. Kështu maska bëhet e detyrueshme jo vetëm në mjedise të mbyllura (qendra tregtare, supermarkete, kinema, aeroporte dhe ashensorë) dhe në transportin publik, por edhe në vende publike të mbushura me njerëz si sheshe dhe parqe.
“Njerëzit janë bërë më pak të vetëdijshëm për parandalimin e Covid-19 ndërsa pandemia zvarritet,” komentuan ekspertët.
“Disa mendojnë se nuk kanë pse të mbajnë një maskë për fytyrën pasi të jenë vaksinuar, gjë që çon në zbraztësi në parandalimin e epidemisë dhe mbrojtjen personale”.A2news.