KFOR-i u ka bërë thirrjeve të gjitha palëve që të shmangin veprimet që mund të çojnë në përkeqësimin e situatës së sigurisë dhe ftoi në veprime të përgjegjshme duke marrë pjesë aktive në ruajtjen e sigurisë.
Komandanti i Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), Angelo Michele Ristuccia, është takuar me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, për të diskutuar për situatën aktuale të sigurisë në vend dhe tensionet pas bisedimeve pa marrëveshje për targat në Bruksel, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin për media, KFOR-i u ka bërë thirrjeve të gjitha palëve që të shmangin veprimet që mund të çojnë në përkeqësimin e situatës së sigurisë dhe ftoi në veprime të përgjegjshme duke marrë pjesë aktive në ruajtjen e sigurisë.
Ristuccia theksoi se është e rëndësishme të shmanget çdo përshkallëzim i ri, pas tensioneve që ndodhën në muajin gusht në veri të vendit.
“Gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë bashkëbiseduesit kryesorë, duke përfshirë Komandantin e Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të organizatave të sigurisë së Kosovës, si dhe me shefin e Forcave të Armatosura të Serbisë”, thuhet në njoftim.
Në njoftim thuhet se KFOR-i është vigjilent në raport me situatën dhe do ta vazhdojë mandatin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) me të gjithë kapacitetet për një mjedis të sigurt dhe duke garantuar lëvizje të lirë për të gjithë qytetarët e Kosovës, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999.
“Qëllimi i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO është paqja dhe siguria në Kosovë. KFOR-i luan një rol jetik në ofrimin e sigurisë që e bën të mundur dialogun. Komandanti i KFOR-it u bën thirrje palëve që të përmbahen nga veprimet apo retorika të njëanshme dhe të parandalojnë çdo përshkallëzim të mëtejshëm të tensionit”, ka përfunduar komunikata.
Nga nesër, më 22 nëntor pritet që të hyjë në fuqi faza e re e vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale që nuk janë “RKS”, e të cilat qarkullojnë kryesisht në komunat me shumicë serbe në veri të vendit.
Për shkak të këtij vendimi, zyrtarët serbë kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës derisa kanë paralajmëruar se do ta kundërshtojnë vazhdimisht atë.