Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, të enjten pas mbledhjes së kryesisë, ka thënë se Bashkimi Evropian (BE) po do me zor që t’ia marrë kompetencat Kosovës, për hartimin e draft-statutit për Asociacionin.
Ai ka thënë se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe është një temë shumë e përfolur në Kosovë dhe kjo nuk mund të merr epilog për shkak të mënyrës se si është shkruar nga bashkësia ndërkombëtare.
“Unë e kam shprehur mendimin tim publik tashmë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe se drafti që është dorëzuar nga ana e Bashkimit Evropian ka një parregullsi sepse kjo nuk është kompetencë e Bashkimit Evropian dhe mendoj që nëse Bashkimi Evropian nuk e modifikon këtë qëndrim atëherë i bie që do me ia marrë me zor një kompetencë shtetit të Kosovës. Kjo mendoj që është e pamundshme në relacionet tona që i kemi me Bashkimin Evropian”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se janë të gatshëm të diskutojnë me BE-në se kur duhet të jetë gati drafti i Asociacionit, por që hartimi i tij të bëhet nga autoritetet e Kosovës.
Konjufca ka folur edhe për marrëdhëniet në mes kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani. Ai ka thënë se në raportet e tyre nuk ka asgjë dramatike.
“Relacionet janë të mira nuk ka asgjë dramatike. Kryeministri e presidentja i dhanë qëndrimet e tyre. Pajtohem me presidenten se qëndrimet e ndryshme nuk mund të quhen luftë politike. Mund të ketë dallime këto janë të natyrshme, kështu ndodhë në çdo vend të botës. Ne kur dalim dhe i formulojmë qëndrimet, para bashkësisë ndërkombëtare dalim më qëndrime të përbashkëta”, ka ka deklaruar Konjufca.