Ka filluar punimet Seminari i 102-të “Rose-Roth” i Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Prishtinë, ku po diskutohet tema “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor, sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme“.
Në këtë event janë mbi 100 pjesëmarrës, duke përfshirë deputetë nga vende anëtare të NATO-s dhe vendet partnere. Në fjalën hapëse të këtij seminari kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se Kosova është e vendosur për një bashkëpunim edhe më të ngushtë dhe për anëtarësim në NATO.
Ai tha se Kosova ‘natyrshëm e fuqishëm është vendosur në krah të shteteve demokratike, duke vënë sanksione ndaj Federatës Ruse pas agresionit ushtarak në Ukrainë’.
Konjufca theksoi se populli shqiptar në Kosovë e dinë shumë mirë se nëpër çka po kalon populli ukrainas, ngase e kanë përjetuar në lëkurën e vet agresionin e Serbisë para më shumë se dy dekadash, teksa ka theksuar se mendësia e Putinit është e njëjtë me atë të kriminelit Millosheviq.
“Ne e kuptojmë nëpër çka po kalon populli i Ukrainës si askush tjetër meqë vetë ishim një popull që u sulmua në vendin e vetë nga Serbia e Millosheviqit në vitin 1998. Edhe Millosheviqi mendonte se Kosova nuk ishte djepi i popullit që jetonte këtu por thoshte se ishte zemra e Serbisë. Ai mendonte që Kosova dhe populli i saj nuk duhej të ekzistonin, njëjtë mendon edhe Putini për Ukrainën”, ka theksuar Konjufca.
Ai tutje ka theksuar se Kosova do të ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme në mënyrë që të anëtarësohet në NATO, teksa ka theksuar se synimi është që FSK të bëhet ushtri moderne./rtk