Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, sot do të pres në takim presidentin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer.
Takimi mes dy krerëve do mbahet nga ora 9:00, ka bërë të ditur, zyra për informim e Kuvendit.
Menjëherë pas takimit, Konjufca bashkë me Nussbaumer do të mbajnë konferencë për media.
Ndryshe Ambasada e Zvicrës në Prishtinë ka njoftuar se presidenti i Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer, nga e hëna ka nisur vizitën zyrtare në Kosovë deri më 11 korrik.
Krahas takimeve zyrtare, Nussbaumer viziton edhe SWISSCO-n (misioni paqeruajtës i Forcave të Armatosura zvicrane) në Mitrovicë, për të mësuar rreth punës së saj dhe situatës së sigurisë në veri të vendit.
Ndërkohë, presidenti i Këshillit Kombëtar do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti, dhe zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.