Ministria Administrimit të Pushtetit Lokal ka publikuar udhëzimin administrativ që u mundëson qytetarëve që përmes një peticioni të largojnë kryetarët e komunave.
Ky udhëzim u hartua në kuadër të hapave që ekzekutivi kosovar po ndërmerr për shtensionimin e plotë të situatës në veri të Kosovës.
Qytetarët në këtë zonë – të banuar me shumicë serbe – po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të zgjedhur në prill. Këto votime ishin bojkotuar nga popullata serbe.
Kosova është zotuar se do të mbajë zgjedhje të reja në katër komunat në veri. Me qenë se dorëheqja e kryetarëve shqiptarë nuk është duke u shqyrtuar, Qeveria ka kërkuar të hartohet ky udhëzim administrativ, që mundëson largimin e tyre përmes mbledhjes së nënshkrimeve.
Çfarë thotë udhëzimi administrativ?
Ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi, publikoi udhëzimin administrim që kërkon mbështetjen prej 20 për qind të votuesve të një komune për të larguar kreun e pushtetit lokal.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në zgjedhjet e prillit të këtij viti në Leposaviq ishin 13.318 qytetarë me të drejtë vote, në Zubin Potok 6.661, në Zveçan 6.998 ndërkaq në listën përfundimtare të votuesve në Mitrovicë të Veriut ishin 18.118.