Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani së bashku me drejtoreshën e USAID-it për Kosovë, Lisa Magno dhe ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë Philip S. Kosnett kanë nënshkruar sot amendamentin e marrëveshjes së grantit me USAID në vlerë prej 1.6 milionë dollarësh.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Osmani tha se kjo ndihmë ndërlidhet me Objektivat Zhvillimore të USAID-it për pesë vjetët e ardhshëm përmes të cilave synohet shërbimi më i mirë ndaj qytetarëve nga institucionet llogaridhënëse dhe efektive.
Osmani: Ky amendament i Marrëveshjes së Grantit i sjell Kosovës 1.6 milionë euro
“Kemi nënshkruar amendamentin e marrëveshjes mbi Grantin për Objektivat Zhvillimore ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve. Marrëveshja fillestare e grantit të cilën e kam nënshkruar në nëntor të vitit të kaluar i solli Kosovës 33 milionë dollarë amerikanë. Sot përmes këtij amendamenti, Republika e Kosovës pranon edhe 1.6 milionë dollarë shtesë e cila e rrit vlerën e përgjithshme të grantit në 34.6 milionë dollarë. Kjo marrëveshje ndërlidhet me Objektivat Zhvillimore të USAID-it për pesë vjetët e ardhshëm me të synohet shërbimi më i mirë ndaj qytetarëve nga institucionet llogaridhënëse dhe efektive të qeverisjes, si dhe rritja e mundësive për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse demokratike dhe ekonomike”, tha Osmani.
Shefja e shtetit të Kosovës tha se marrëveshja e grantit me USAID vulos përkushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës karshi popullit të Kosovës.