Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i shoqëruar nga Vlora Çitaku dhe kandidati për kryetar të ardhshëm të Prizrenit, Shaqir Totaj, kanë takuar profesorë, mësimdhënës dhe anëtarë të Shoqërisë Kulturore Artistike “Agimi” për të diskutuar sfidat e shumta me të cilat po ballafaqohet kryeqyteti historik viteve të fundit.
Kryetari i PDK-së tha se keqqeverisja e Vetëvendosjes në nivel vendi më së miri vërehet në degradimin që ia kanë bërë Prizrenit duke e lënë të stagnuar në të gjitha fushat.
“Përkundër faktit që Prizreni është qyteti i dytë më i madh për nga popullsia dhe potenciali, sot është prapa Ferizajt për nga potenciali ekonomik në ekonominë e Kosovës dhe kjo tregon për një anemi totale të qeverisjes lokale e cila nuk i ka ndihmuar as bizneset, as të rinjtë, as iniciativat të cilat kanë mundur të japin një bum të zhvillimit ekonomik. Ky është modeli i qeverisjes së Vetëvendosjes që e shihni në Prizren, e keni parë më herët edhe në Prishtinë. Është një qeverisje anemike, apatike, jo efikase, e cila identifikohet me suficit buxhetor.”, tha Krasniqi.
Lideri i opozitës ka ftuar të gjithë qytetarët e Prizrenit pa dallim që në tetor ta kthejnë shpresën për këtë qytet duke e votuar Shaqir Totajn për kryetar duke thënë se ai dhe alternativa që Totaj përfaqëson është zgjidhja më e mirë për këtë qytet.
“Nuk mund të them se u ndjeva krejt mirë sepse po e shohim një degradim të qytetit të Prizrenit. Për fat të keq ky degradim nuk po ndodhë vetëm në kuptimin e dukjes por edhe në kuptimin e potencialit që është bllokuar në Prizren në kuptimin e mbylljes që është duke i ndodhur Prizrenit. Është një degradim nga ana e qeverisjes lokale e cila realisht nuk po e mundëson kthimin e potencialit dhe angazhimin e involvimin e qytetarit të Prizrenit për ta zhvilluar edhe më tutje këtë qytet, i cili është kryeqytet shpirtëror i shqiptarëve dhe kryeqytet kulturor i të gjithë neve. Por jam i bindur që krejt kjo do të ndyshojë me ardhjen e Shaqir Totajt në krye të udhëheqjes së komunës së Prizrenit. “, tha Krasniqi.
Kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit , Shaqir Totaj tha se me ekipin e tij prej profesionistëve kanë hartuar programin e qeverisjes së re për ta zhvilluar Prizrenin.
“Prizreni kohëve të fundit ka pësuar një degradim substancial në të gjitha sferat e jetës dhe në të ardhmen ne duhet t’i japim këtij qyteti jetë, duhet t’i japim shpresë, duhet të ndërtojmë një sistem të vlerave që promovon kualitet. Unë jam shumë i sigurt se kandidatura ime, e cila shkon përtej një partie është kandidaturë qytetare me një ekip të mirë profesionistësh të fushave të ndryshme. Ne do të arrijmë që me përkrahjen e një spektri të gjerë të elektoratit t’ia rikthejmë Prizrenit dinjitetin.”, tha Totaj./Kosova Post/