Kryetari i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi ka thënë të enjten se situata me pandeminë e koronavirusit është duke u rënduar në Kosovë, nga dita në ditë.
“Ne po shohim çdo ditë numër më të madh të pacientëve që po kërkojnë hospitalizim. Sot kemi 780 pacientë në shtatë spitalet e përgjithshme dhe në klinikat COVID, të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës”, ka deklaruar Krasniqi.
Sipas tij 36 pacientë janë në gjendje kritike dhe po trajtohen në repartin e kujdesit intensiv, derisa mbi 500 pacientë janë në oksigjenoterapi të vazhdueshme.
Ai ka thënë se në Komitetin për menaxhimin e pandemisë, në nivel të SHSKUK-së, është vendosur se do t’i dërgohet një shkresë Qeverisë në detyrë të Kosovës, që të shqyrtojë mundësitë për zgjerim të kapaciteteve tjera alternative.
Që nga muaji mars i vitit 2020, në Kosovë janë regjistruar 79.089 raste të prekura nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi.
Prej tyre, 1.731 pacientë kanë vdekur derisa 65.979 persona janë shëruar.
Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nisur procesin e vaksinimit.
Skema e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVOX, përmes së cilës pritet të shpërndahen vaksinat për koronavirus në vendet e varfra, ka bërë të ditur se Kosova mund të furnizohet me këtë vaksinë deri në muajin maj.
Në dërgesën përmes COVAX-it, Kosova do të përfitojë 100,800 doza të vaksinës së prodhuar nga kompania AstraZeneca.
Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, në fillim të muajit janar, pati njoftuar se ka marrë konfirmim nga kompania amerikane, Pfizer, për sigurimin e 535,000 vaksinave kundër koronavirusit.
Mirëpo zyrtarë të kësaj kompanie i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ende janë në diskutime me Qeverinë në detyrë të Kosovës për furnizim me vaksina./rel