Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, kryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Muhamed Sejdini dhe presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, po realizojnë një vizitë në Shqipëri, transmeton Kosova Post.
Ademi, Sejdini dhe Gravina u takuan me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, ndërkohë qëllimi i vizitës së tyre është që të ndjekin nga afër punimet për ndërtimin nga FSHF-ja dhe partnerët e saj të shtëpive për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Duka dhe Gravina në një deklaratë për mediat pas takimit, u fokusuan në solidaritetin ndaj Shqipërisë pas tërmetit dhe në bashkëpunimin mes federatave.
Presidenti i FSHF-së falënderoi homologët e tij “për solidaritetin e tyre për një moment shumë të vështirë siç ishte tërmeti i nëntorit 2019”.
“Presidenti Gravina ishte nga të parët që më ka telefonuar se kush janë dëmet, çfarë nevojash keni dhe çfarë mund ju ndihmojmë dhe i është bashkuar iniciativës së Federatës së Futbollit (FSHF) për ndërtimin e disa shtëpive me një fond të krijuar nga ne. Këtij fondi i janë përgjigjur edhe federata tjera, federata spanjolle, islandeze, Irlanda e Veriut, vëllezërit tanë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut”, u shpreh Duka.
Gravina tha se kur ka një moment vështirësie të madhe popujt bashkohen dhe u vijnë në ndihmë miqve dhe vëllezërve të tyre.
“Futbolli ka një gjuhë unike, universale dhe bashkon popujt. Ne kemi një projekt të përbashkët për futbollin. Jemi të lidhur qoftë nëpërmjet vendeve tona, por edhe në nivel evropian”, u shpreh Gravina.
Duka dhe tre homologët e tij do të vizitojnë fshatin Bubq në Bashkinë e Krujës ku po ndërtohen nga Federata Shqiptare e Futbollit me mbështetjen e partnerëve të saj shtëpitë për familjet e prekura nga tërmeti. (AA)